Berisha: Ndërtimi i muzeut hebraik në Vlorë, nismë pozitive

TIRANË, 19 shtator /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi me qytetarë në rrjetet sociale, e cilësoi projektin për ndërtimin e muzeut hebraik në Vlorë si një nismë pozitive.
I pyetur për muzeun që po ndërtohet në Vlorë, Berisha deklaroi se Partia Demokratike është një parti e tolerancës fetare dhe e respektit ndaj besimeve të ndryshme.
“Partia Demokratike është një parti e tolerancës fetare dhe e respektit të pafund. Ajo nuk pajtohet, në mënyrë absolute, me asnjë qëndrim antisemit. Dhe këtu jemi shumë të përcaktuar. As kundër feve të tjera”, u shpreh Berisha.
Duke folur për historinë e komunitetit hebraik në Shqipëri, Berisha vlerësoi qëndrimin e shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke theksuar se familje shqiptare strehuan dhe mbrojtën hebrenj, edhe duke rrezikuar jetën e tyre.
“Shqiptarët nuk duhet ta harrojnë këtë. Kjo është një nga trashëgimitë më të shkëlqyera morale të tyre”, tha ai.
Berisha përmendi gjithashtu praninë historike të komuniteteve hebraike në territoret shqiptare pas dëbimit të hebrenjve nga Spanja gjatë periudhës së Inkuizicionit. Sipas tij, një pjesë e tyre u vendosën në territoret e Perandorisë Osmane, përfshirë Vlorën, zonën e bregdetit dhe Elbasanin.
“Përderisa ata kanë pasur një, jo lagje, po një bllok të tyre, një zonë të tyre ku kanë jetuar ato familje, ndërtohet pra një muze në kujtim të kësaj historie, unë e quaj pozitive dhe u bëj thirrje demokratëve dhe u bëj thirrje qytetarëve të Vlorës: Mos dëgjojnë ata të cilët duan të nxisin luftërat ndëretnike, fetare, e debate të tilla. Ajo ka qenë një realitet aty. Ata nuk janë më aty. Jo, kanë ikur në shtetin e tyre, kanë ikur në Izrael”, tha Berisha.
Berisha u ndal te projekti për ndërhyrjen në një ndërtesë historike në Vlorë, të lidhur me shoqatën “Labëria”.
Sipas Berishës, ndërtesa është monument me mbrojtje të kategorisë së parë dhe nuk duhet të ndryshohet në strukturën e saj.
“Ajo ndërtesë është ndërtesë historike, është me mbrojtje të kategorisë së parë. Një ndërtesë me mbrojtje të kategorisë së parë nuk mund ta prekë kush”, deklaroi ai.
/m.q/j.p/