E Enjte, 5 Nëntor 2026

Berisha: Ndihem më muxhahedin se kurrë, po sillemi si vasal i Iranit

Ish kryeministri Sali Berisha ka vijuar edhe këtë të enjte akuzat ndaj qeverisë dhe Policisë së Shtetit lidhur me kontrollin e kryer ndaj kampit të MEK në Manzë.

Berisha nga foltorja e Kuvendit deklaron se ndihet më muxhahedin se kurrë, ndërsa thekson se qeveria është përgjegjëse për situatën e krijuar, teksa pretendon se muxhahedinët janë dhunuar.

Berisha shton se aktakuza e ngritur nga gjykata është e trilluar.

“Jam këtu për të deklaruar sot se në këtë moment ndjehem më shumë se kurrë njëri prej tyre, ndjehem një muxhahedin, luftëtar i lirisë.

U shpreh atyre ndjenjat e mia më të sinqerta të mbështetjes dhe simpatisë.

Ndjehem sot muxhahedin sepse qeveria amorale e këtij vendi vrau në bukë të vet, në strehë të vet, një luftëtar lirie.
Ndjehem sot muxhahedin më shumë se kurrë, sepse aktakuza e djeshme që lexuat, është historia më e turpshme për një vend.
Ajo ishte e shkruar në Teheran.

Aktakuza bazohej e tëra në shpifje, trillime të shërbimeve të ajatollahëve ndaj luftëtarëve të lirisë.
Aktakuza përmbante elementë të poshtërimit ekstrem të Shqipërisë dhe shqiptarëve, sikur nuk është një vend anëtar i NATO-s, por sikur është një vasal i Iranit.

Të marrësh ato për bazë, për të ushtruar një reprezalje më të turpshme në historinë e këtij vendi.

Ndaj kërkoj largimin e menjëhershëm të ministrit të Brendshëm.

Kërkoj të mbajmë një minutë heshtje për martirin e lirisë që ra për t’u bërë i pavdekshëm.
Ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje!”

Nga ana tjetër, policia ka mohuar të ketë ushtruar dhunë, ndërsa përsa i përket trupit të pajetë pritet që mjekësia ligjore të thotë fjalën e fundit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›