Berisha: Në vitin 2013 e lamë Shqipërinë me shpresë, tani vendi po braktiset masivisht

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë prezantimit të kandidatëve për deputetë dhe programin e qeverisjes së “PD-Shqipëria Madhështore” u shpreh se sipas tij, qeverisja Rama i zhyti shqiptarët në mjerim.
Sipas Berishës, Rama ngriu rrogat dhe pensionet duke sjellë fenomenin e braktisjes nga shqiptarët.
“Në 12 vitet e pushtetit, Edi Rama largoi të rinj shqiptarë dhe qytetarë shqiptarë, nga viti 2014 deri në vitin 2023, sa asnjë pushtim që nga pushtimi otoman gjer sot, sa asnjë sëmundje, sa asnjë fatkeqësi. 1 milion e 99 mijë shqiptarë vetëm në hapësirën e Shengenit. Mbi 600 mijë të rinj. Miq, e rrokullisi kombin ky. Asnjë komb nuk ka pësuar në asnjë luftë, civile, botërore apo rajonale, atë që pësuam ne nga ky regjim.
Shqipëria nuk ishte një vend i mëkëmbur të themi, por ama Shqipëria doli nga honet e historisë në raport me varfërinë.
Pra, një mekanizëm u vendos në këtë vend. U vendos një mekanizëm që bënte të mundur rritjen e përvitshme të rrogave dhe pensioneve. Bënte të mundur ndarjen nga ajo trashëgimi e rëndë e prapambetjes me rrugë që vinin nga mesjeta shumë prej tyre. U ndryshua infrastruktura.
Turizmi që flasim sot, nga 300 mijë që ishin në vitin 2004, arritën në 4.7 milionë në vitin 2013. Pra, e lamë pushtetin në një Shqipëri, në një Shqipëri të cilës shqiptarët e besonin, në një Shqipëri në të cilën u kthyen 180 mijë shqiptarë në dy vitet e fundit”, tha Berisha.
/rtsh.al/