Berisha: Nisim revoltat, gatishmëria e demokratëve shumë e lartë

TIRANË, 17 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi për mediat pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Kombëtar se kjo forcë politike ka marrë vendimin për nisjen e revoltave opozitare, duke theksuar se në radhët e demokratëve ka një nivel të lartë gatishmërie dhe vendosmërie.
“Diskutuam për të startuar revoltat e PD-së”, të cilat u shpreh Berisha, do t’i japin përgjigjen përfundimtare situatës aktuale në vend, duke shtuar se sipas tij problematikat kryesore lidhen me korrupsionin dhe kriminalitetin.
Ai theksoi se vendimi është marrë në një linjë të përbashkët nga forumet drejtuese të partisë.
“Kjo është mbledhja e tretë e forumeve të PD-së kryesia, grupi parlamentar dhe Këshilli Kombëtar, që shkojnë në një linjë dhe shënojnë vendimin e kësaj force politike për fillimin e revoltave, të cilat do të ndërpriten vetëm kur, sipas nesh, ky regjim të marrë fund”, deklaroi Berisha.
I pyetur për gatishmërinë e demokratëve për protesta, kreu i PD-së tha se ajo është shumë e lartë.
“Me aq sa pashë sot, jashtë mase. Një gatishmëri dhe një vendosmëri që kjo parti nuk e ka pasur më parë,” u shpreh ai, duke e cilësuar këtë si një zhvillim dhe ndërgjegjësim të rëndësishëm brenda partisë.
Berisha foli edhe për situatën politike në vend, duke deklaruar se, sipas tij, qeveria ndodhet në vështirësi dhe se opozita synon ndryshim përmes presionit qytetar.
Në lidhje me debatet e brendshme në PD dhe akuzat për bashkëpunim me krimin, Berisha theksoi se qëndrimi i tij është i pandryshuar.
“Gjithçka kam pasur për këtë çështje, e kam shprehur si kryetar i Partisë Demokratike dhe atë nuk e ndryshoj”, tha ai.
Sa i përket mundësisë së përjashtimit të Ervin Salianjit, Berisha nënvizoi se vija e kuqe mbetet e qartë.
“Qëndrimi absolut i kësaj force politike është se bashkëpunimi me bandat dhe krimin është i papranueshëm”, deklaroi ai, duke shtuar se çdo veprim do të bëhet në përputhje me statutin e PD-së.
Në lidhje me aksionin opozitar, Berisha u shpreh se do të ketë revolta, duke theksuar se detajet mbi mënyrën e organizimit do të bëhen të ditura në vijim.
“Ato do t’i mësoni të gjitha në kohën e duhur”, përfundoi Berisha.
/gj.m/a.f/