E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Berisha: Nuk lejojmë asnjë ndryshim në Kodin Zgjedhor nëse nuk pranohet amendamenti ynë

TIRANË, 5 shkurt /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në një konferencë për mediet përsëriti sërish sot qëndrimin e opozitës për të mos lejuar asnjë ndryshim në Kodin Zgjedhor, nëse nuk pranohet amendamenti i tyre për lejimin e regjistrimit të shtetasve shqiptarë jashtë vendit me mjetet e identifikimit të vendit ku jetojnë.

“Negociatat janë, Partia Socialiste kërkon të përjashtojë të gjithë shqiptarët me të drejtë vote jashtë Shqipërie, që nuk disponojnë dokumente shqiptare dhe ky është një akt antidemokratik, antikushtetues. Pasja apo jo e letërnjoftimit apo pasaportës shqiptare nuk ka asnjë implikim me qenien apo jo shtetas shqiptar,” tha Berisha.

Berisha shtoi me tej se “mund të jesh shtetas shqiptar dhe të mos kesh pasaportë shqiptare, por të kesh dokumente të një, dy apo tre vendeve të tjera që lejojnë dyshtetësi”.

“Nuk e pranojnë socialistët. Kështu që unë e deklaroj këtu, asnjë votim, asnjë ndryshim nuk bëjmë nëse nuk pranohet ky amendament i yni, që është krejtësisht pa asnjë lloj anësimi politik, por strikt për të respektuar të drejtën kushtetuese të shqiptarëve jashtë vendit. Për ne, ky është kushti,” tha Berisha.

Sipas Berishës vota e diasporës vihet në rrezik nëse përjashton dy të tretat e shqiptarëve jashtë vendit.

“Ti e bën me këtë qëllim këtë, se këta e shohin që diaspora e urren PS-në. Shqiptarët nuk ia falin të largojë 1 milion persona në 10 vite. Këta menduan se do ishte ndryshe, por u del krejt tjetër. Ndaj dhe duan tani t’i kufizojnë,” u shpreh Berisha.

Një ditë më parë Kryekomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi tha se nëse “ndryshimet e Kodit Zgjedhor do të bëhen pas muajit mars, nuk do të kenë asnjë dobi për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve”.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›