Berisha: Nuk marrim pushtetin me dhunë! Largimi i qeverisë përmes një kryengritjeje paqësore

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, iu përgjigj një pyetjeje të qytetarëve gjatë një bashkëbisedimi publik, ku u ngrit shqetësimi se opozita po kufizohet vetëm në denoncime dhe veprimtari paqësore, ndërsa situata politike vijon të përkeqësohet.
Në përgjigjen e tij, Berisha theksoi se Partia Demokratike nuk ka synuar kurrë marrjen e pushtetit me dhunë dhe se kjo ka qenë gjithmonë një vijë e kuqe për opozitën.
“Ne jemi partia që nuk e kemi synuar kurrë pushtetin me dhunë, përkundrazi, kur këta e kanë marrë me dhunë pushtetin ne i kemi përzënë me votë,” u shpreh Berisha.
Ai theksoi se opozita beson se largimi i qeverisë aktuale është i mundur përmes një kryengritjeje paqësore, të organizuar dhe të qëndrueshme në kohë. Sipas tij, kjo formë reagimi është vendimtare për të ardhmen e vendit.
“Ne besojmë se me një kryengritje paqësore të qëndrueshme, është plotësisht e mundur largimi i tyre nga pushteti. Ndaj dhe duhet të krijojmë një bindje të gjerë, tek qëndrestarët, opozitarët, tek të gjithë ata që duan të shpëtojnë Shqipërinë nga kjo e keqe,” deklaroi ai, ndërsa shtoi se Partia Demokratike është në fazën e përgatitjeve për këtë proces.