Berisha: Olldashi të takojë Ramën për sheshin

Një ditë pasi ka nisur kufizimi i qarkullimit në sheshin "Skënderbej", kryeministri Berisha ka kërkuar një takim të ministrit të Transporteve, Olldashi me kryetarin e Bashkisë, Edi Rama për të shqyrtuar problemin e sheshit. "Duhet ulur me të dhe të diskutohet në mënyrën me serioze. Problemi i dytë që duhet diskutuar është zbatimi i ligjshmërisë. Përcaktimet e Intitutit të Trashëgimisë Kulturore janë të detyrueshme për bashkinë e Këshillin e Rregullimit të Territorit . Nuk mund të bëhet sheshi piramidë", tha Berisha.
Në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Berisha ka deklaruar gjithashtu se Kuvajti ka dyfishuar fondin për sheshin.
"Në Kuvajt kërkova shtimin e fondit për sheshin. Sot jam njoftuar se Emiri i Kuvajtit ka vendosur të dyfishojë fondin për sheshin "Skënderbej". Kuvajti do japë 10 milionë euro për sheshin", tha Berisha.
Kreu i qeverisë ka kërkuar që sheshi të trajtohet me seriozitet. Ai ka akuzuar më tej Ramën, se po bën eksperimente me trafikun, duke pranuar se ai nuk ka probleme me planin, por i vetmi shqetësim i tij është ai i trafikut. "Projekti i ri që përjashton sheshin nga trafiku do të zhysë në kaos total qarkullimin e trafikun në Tiranë. Eksperimentin e parë e bëri sot Rama. U krijua një bllokim i përgjithshëm, edhe pse e bëri në kundërshtim të specialistëve të qarkullimit rrugor. është absurde të mendosh se trafiku do zgjidhet nga unazat fiktive", shtoi ai.
Kreu i qeverisë theksoi se nuk mund të hiqet nga sheshi shtatorja e Skënderbeut. " Ndaj duhet diskutuar se ku do qendrojë në këtë projekt të ri monumenti i Skëndebeut", nënvizoi Berisha.
Ndër të tjera Berisha tha se në prag të sezonit turistik ka një papastërti alamante. "Nuk duhen pastruar vetëm plazhet, por e gjithë Shqipëria nga hedhurinat", saktësoi ai.