E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Berisha: Opozita, arsye për të festuar fitoren e Trump

TIRANË, 9 nëntor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, se, opozita shqiptare ka arsye për të festuar fitoren e Trump sepse ajo u godit nga e majta amerikane dhe Sorosi.

“Nuk mohohet se rikthimi i presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë shënon një fitore të madhe për vlerat konservatore në SHBA, por për vlerat konservatore në mbarë botën, për ata të cilët iu besojnë dhe i kanë të shtrenjta, të çmuara këto vlera. Një dallgë marksiste që sundoi apo kulmoi katër vitet e fundit në SHBA, theu qafën në kuptimin që ajo u hodh poshtë në mënyrë plebishitare nga zgjedhësit, qytetarët amerikanë dhe fatmirësisht pas disfatës së flamurmbajtësve të kësaj dallge, sot po lexoja se shumica dërrmuese e mbështetësve të zëvendëspresidentes Harris po rikthejnë mbështetjen e tyre për presidentin Trump. Në këtë mënyrë unë besoj se çdo njeri i mirë beson në vlerat konservatore si vlerat më të mira”, tha ai.

Berisha theksoi se opozita ka rast të festojë dy herë më shumë sepse, sipas tij, “këto vite, kjo opozitë u përball jo vetëm me narkoshtetin e vetëm dhe të parë në Europë, por për fat të keq u përball me grushtin e shtetit të organizuar kundër saj si forcë konservatore nga e majta amerikane, nga Xhorxh Soros dhe qendrat që ai ndikonte, lobonte”.

“Kështu që kjo ishte një periudhë trevjeçare shumë e vështirë për opozitën, por edhe për qytetarët shqiptarë”, tha Berisha.

Berisha u shpreh se, mosbindja civile është rruga e vetme fitimtare në betejën kundër perandorisë së Sorosit.

“Nëse perandoria e Sorosit mori një goditje fatale në SHBA, ajo qëndron në këmbë me të gjithë dhëmbët dhe fuqinë në Shqipëri. Unë kam besim se mosbindja civile është rruga më e sigurt dhe e vetme fitimtare në betejën kundër saj”, tha Berisha.

Sipas tij, “narkoshteti shkatërroi administratën dhe policinë”. Por shtoi ai, “ne do të respektojmë administratën dhe punonjësit e saj, jo si një levë e partisë, jo si një instrument i partisë shtet, por si institucione të shtetit, të të drejtës, ligjit dhe kushtetutës”.

Më pas, Berisha theksoi se, kryeministri Edi Rama do të detyrohet të firmosë qeverinë teknike.

“Kur demokratët të angazhohen në një lëvizje të qëndrueshme, në bllokime të qëndrueshme, në protesta të qëndrueshme, në greva të qëndrueshme, Edi Rama nuk mund të rezistojë kurrë. Nuk ka më forcë që të rezistojë”, tha Berisha.

Sa i përket votës së diasporës, Berisha u shpreh se, “kam sinjale se Rama ka nisur blerjen e votave në diasporës”, teksa ftoi qytetarët të denoncojnë çdo akt.

“Ekipi po punon për rregullat më transparente dhe më të sigurta për votën e diasporës. Dhe i siguroj emigrantët tanë, diasporën, shqiptarët jashtë vendit se PD do përcaktojë rregullat më të qarta”, tha ai.

Berisha theksoi më tej se, projekti i ndarjes së Kosovës nuk është mbështetur në mënyrë absolute nga Donald Trump dhe Riçard Grenell.

“Donald Trump është një president që u mor personalisht me problemin e Kosovës dhe Serbisë. Pra, në këtë aspekt është një fat i madh sepse këta që ishin, këta e njihnin, por nuk zgjidhën gjë se u morën me projektet e Xhorxh Sorosit, se Sorosi bëri projektin e ndarjes dhe ndryshimit të kufijve, ai projekt mban firmën e tij. Se u morën me Ballkanin e Hapur, se faktikisht mbështetën Edi Ramën, që u shndërrua në një faktor negativ të progresit të dialogut Prishtinë-Beograd”, theksoi Berisha. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›