Berisha: Opozita të votojë ligjin për Gjykatën e Lartë
Kryeministri Berisha i ka bërë thirrje opozitës të tregojë vullnet dhe të miratojë ligjin për Gjykatën e Lartë, ligjit të shërbimit civil, por edhe ligjeve të tjera që nuk kërkojnë shumicë të cilësuar por për të cilat është me rëndësi që të arrihet konsensus.
Duke folur në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të integrimit, kryeministri vlerësoi se këto 6 muaj, që nga miratimi i Planit të Veprimit në datën 21 mars të vitit 2012, është bërë një punë intensive dhe janë realizuar reforma të thella e të mëdha, ndër të cilat, më kryesorja është reforma e imuniteteve, si dhe reforma zgjedhore.
“Këto reforma u miratuan tërësisht me konsensus, çka përbën një arritje të vërtetë. Dua të theksoj se qeveria ka në përmbushje e sipër një seri obligimesh, të cilat duhet që me shpejtësi t`i votojë e t`i zbatojë. Ndërkohë, janë sërish ligje që kërkojnë 3/5 dhe kjo varet nga vullneti i opozitës. Por ne shpresojmë se, siç dëshmoi vullnet për reformën zgjedhore, siç dëshmoi vullnet për kufizimin e imunitetit, opozita të dëshmojë vullnet dhe për ligjin e Gjykatës së Lartë, Ligjit të Shërbimit Civil, por edhe ligje të tjera që, pavarësisht se kërkojnë shumicë të thjeshtë, do të ishte shumë mirë që ato të kishin konsensusin e të gjitha palëve, miratimin e të gjitha palëve" theksoi Berisha.
Duke iu referuar vizitës zyrtare të suksesshme të Presidentit të Republikës z. Bujar Nishani në Bruksel dhe takimeve të tij atje me personalitetet më të larta të BE-së, Kryeministri Berisha tha se në këto takime është diskutuar gjerësisht mbi reformat e realizuara në Shqipëri, progresin e tyre dhe perspektivën evropiane të vendit, janë parashtruar të gjitha arritjet në zbatimin e Plantit të Veprimit, sikundër edhe çështje të tjera që duhet të realizohen më tej në këtë proces.