E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: PD duhet të punojë për ripërtëritje

TIRANË, 19 shtator /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se zhvillimet e fundit politike dhe protestat kanë krijuar një situatë të re në vend.

Duke komentuar denoncimet e opozitës ndaj qeverisë, Berisha tha se protesta që ka vijuar prej më shumë se 100 ditësh ka damkosur qeverinë.

“Pa diskutim qëndrimet e opozitës, nuk duhet të harroni se janë tetë rezoluta ndërkombëtare, të cilat denoncojnë publikisht narkoshtetin, farsën zgjedhore të Edi Ramës, shtypjen e të drejtave kushtetuese të opozitës dhe burgosjet politike. Protesta e fuqishme, që ka kaluar 100 e sa ditë, ka damkosur më shumë se çdo gjë tjetër regjimin e Edi Ramës”, tha ai.

Berisha kërkoi gjithashtu një proces të gjerë ripërtëritjeje brenda Partisë Demokratike, duke theksuar nevojën për modernizim, dixhitalizim dhe ndryshime në mënyrën e funksionimit të partisë.

“Ndaj dhe Partia Demokratike duhet të bëjë gjithçka për ripërtëritjen e saj.  Dhe këtu nuk është fjala e ripërtëritjes vetëm të drejtuesve, por ripërtëritja është një koncept shumë i gjerë.

“Në radhë të parë funksionimin e saj, modernizimin, dixhitalizimin e saj, vizionin e saj për t’u dhënë përgjigje më të sigurt, më të shpejtë të gjithë këtyre problematikave të mëdha, sepse Edi Rama është e shkuara, për këtë nuk ka më asnjë dyshim. Ndaj dhe ne duhet të punojmë fort për të fituar besimin masiv të shqiptarëve në betejën e ardhshme me të”, tha ai.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›