Berisha: PD, jo me PS kundër SPAK! Rama e ka zhdukur Engjëll Agaçin se i kanë kapur laptopin

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha premtoi se nuk do të bashkojë votat asnjëherë me kryeministrin Edi Rama kundër SPAK-ut.
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar demokrat, Berisha u kujdes të theksojë se ka një ndryshim mes qëndrimeve të tij kundër SPAK-ut dhe qëndrimit të mazhorancës, dhe për të dytën ditë me radhë kryetari i PD nuk e përmendi shkrirjen e Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar e Korrupsionit.
Berisha: Njëherë duhet të qartësoj shqiptarët, se kurrë kjo parti nuk do bashkojë votat me Edi Ramën për asnjë lloj mase ndaj sistemit të drejtësisë. Kjo parti ka platformë të qartë, ka shprehur qëndrimet e veta në bindjen më të thellë se Shqipëria nuk mund dhe nuk duhet të ketë prokurori politike. Po kjo nuk do bëhet në asnjë rrugë tjetër përveç Komisionit të Venecias.
Berisha ironizoi ndërkaq mbledhjen e grupit të deputetëve socialistë dhe seancën dëgjimore me rektorin e universitetit të Kamzës.
Berisha: Unë nuk marr përsipër të them as për dosjen, por them një gjë, që rektori e përleu keq universitetin se kur mendon të shpëlash apo të qash për një aferë në rifuxhion e hajdutëve, duhet të mendosh 5 herë që të futesh aty. Nuk janë pekatorium ata, ata janë furbiorium. Se janë hajdutë ata.”
Sipas kryetarit të PD Berisha, në hetim është edhe ish-sekretari i përgjithshëm i kryeministrisë Engjëll Agaçi.
Berisha: Laptopi i Engjëll Agaçit po bëhet si laptopi i Hunter Biden. Po, e ka zhdukur Agaçin. Se Agaçit i kanë kapur laptopin. Dhe laptopi flet dhe do flasë pafundësisht. Dhe Edi Rama nuk ia thotë këtë, mendon se do kalojë çështjen e laptopit duke vënë në arrati Agaçin apo duke e shtruar në spitale.
Edhe aleati i Sali Berishës, Ilir Meta i cili ka qenë një prej kritikëve më të ashpër të SPAK-ut dhe sot ndodhet i arrestuar pasi po hetohet për korrupsion, ka deklaruar se është kundër shkrirjes së tij.
Në një postim në rrjetet sociale Meta deklaroi se reforma në drejtësi duhet rishikuar me ndihmën e komisionit të Venecias.
“Në emër të Partisë së Lirisë zotohemi që për ne SPAK do të jetojë edhe 2 mijë vjet, por për të goditur infiltrimin rus dhe bjellorus duhet urgjentisht të hetohet afera McGongial sepse është e padiskutueshme që falë ndikimit të tij, si mik i Deripaskës, është realizuar dhe garantuar rusifikimi i drejtësisë, natyrisht edhe i vetë SPAK”, shkroi Ilir Meta./vizionplus.tv