Berisha: Pa zgjedhje të lira Shqipëria nuk ka paqe, mosbindja civile do të përshkallëzohet

TIRANË, 8 tetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha kërkoi sërish sot krijimin e qeverisë teknike ndërsa falënderoi qytetarët për pjesëmarrjen në protestën e mbrëmshme.
Në një konferencë për shtyp, Berisha tha se qytetarë dhanë leksionin më të mirë se çfarë është opozita.
“Ata mbrëmë ishin ndërgjegjja e kombit, zëri i njerëzve të heshtur, ishin ndërgjegjja e njeriut të civilizuar që kudo në botë ngrihet kundër padrejtësive, kundër tiranive”, tha Berisha.
Berisha theksoi se, pa zgjedhje të lira, Shqipëria nuk ka paqe.
Kryetari i PD-së theksoi se, mosbindja e djeshme ishte vetëm aksioni i parë i fillimit të mosbindjes civile.
Berisha gjithashtu i bëri thirrje Kryeministrit Rama që të krijojë qeverinë teknike sepse javët që vijnë mosbindja civile do të çmontojë narkoshtetin.
“Për Edi Ramën kam një thirrje: Opozita ka vetëm 1 javë në aksion. Me kaq ti, ke humbur parlamentin. Me kaq, institucionet e krimit, u dogjën nga flaka e revoltës. Reago sa je në kohë. Nuk kërkojmë pushtet në tavolinë, as dhe të marrim pushtetin me forcë. Kërkojmë vetëm qeveri teknike si mënyrën më të mirë, më demokratike, më të civilizuar për të garantuar zgjedhje të lira. Dhe aty në zgjedhje të lira, le të shohim se kë votojnë shqiptarët”, tha Berisha.
Berisha u shpreh se opozita ka 77 mënyra të mosbindjes civile për të paralizuar shtetin
“Mbrëmë ishte aksioni i parë. Por mosbindja ka shumë forma. Kemi ngujime përpara. Kemi greva. Kemi bllokime permanente rrugësh. Kemi 77 mënyra për mosbindje civile që do asfiksojnë dhe paralizojnë narkoshtetin. Që do ta shkërmoqin narkodiktaturën. Dhe nëse ti mendon se mosbindja civile nisi në Tiranë dhe do kufizohet aty, mendohu mirë Edi Rama. Se së shpejti në mosbindje do kesh Shkodrën. Pastaj Durrësin, Vlorën, Kukësin, Tepelenën, Lezhën. E kështu me radhë, mbarë Shqipërinë”, tha kreu i PD.
Berisha gjithashtu shtoi se, mosbindja do të përshkallëzohet.
“Tani është ora e guximtarëve. Është radha jonë. Votën nuk e falim! Prandaj me hir ose me pahir, do ta kemi qeverinë teknike. Që të garantojmë votën e lirë. Dhe me votë të lirë, do të shohim kë do votojnë shqiptarët”, theksoi Berisha.
Berisha u ndal edhe tek akuzat ndaj tij.
“SPAK është një organizatë kriminale shumë e rrezikshme për demokracinë në Shqipëri, shtetin ligjor, Kushtetutën, por mendoj se Spaku është një vegël e verbër në duart e kreut të krimit të organizuar shqiptar, Edi Rama. Ndaj dhe është një seksion i partisë së rilindjes, i partisë së krimit”, u shpreh ai.
“Unë mendoj se vetë burgosja ime në shtëpi është dëshmia më flagrante e dhunimit të Kushtetutës, ligjeve dhe opozitës së këtij vendi. Por mendoj se po qëndroj si çdo protestues i pamposhtur”, tha Berisha.