E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha: Parlamenti bllokoi hapësirën e opozitës për komisionet hetimore

TIRANË, 30 tetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh sot në një prononcim jashtë Kuvendit ku opozita kërkoi ngritjen e dy komisioneve hetimore, u shpreh se refuzimi i tyre nga ajo që ai e cilvsoi pseudomazhorancë i mohon opozitës të drejtën e saj themelore.

“Kishim paraqitur me argumente të plota kërkesën për dy komisione”, u shpreh Berisha duke shtuar se refuzimi për komisionin hetimor për çështjen ‘McGonigal’ kulmoi me mohimin e të drejtës për të hetuar zgjedhjet.

“Zgjedhjet e 11 Majit, janë zgjedhjet më të damkosura në Europë dhe më të damkosura ndofta edhe në botë sot, nga ato që janë vëzhguar.
Në këto zgjedhje është faktuar nga vëzhguesit ndërkombëtarë se, ligji shqiptar është dhunuar jo 1 herë, por me qindra e mijëra herë, janë dhunuar parimet ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira”, tha ai.

Sipas Berishës, opozita ka me mijëra fakte që do i paraqiste në komisionin hetimor.

“Kushtetuta ka urdhëruar ngritjen e menjëhershme të komisioneve kur ato paraqiten. Gjykata Kushtetuese ka qenë e saktë, nuk njeh asnjë lloj kufizimi”, deklaroi kreu i PD-së.

“Në kushtet e një parlamenti që bllokon tërësisht hapësirën e opozitës, unë besoj se qytetarët do të jenë ata që do thonë fjalën e tyre”, përfundoi Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›