Berisha: Pensionet janë ulur me të paktën 15 për qind

TIRANE, 14 dhjetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se po të zbresësh inflacionin, pensionet në Shqipëri janë të paktën 15 për qind më të ulëta.
I shoqëruar nga drejtuesi politik për Elbasanin, Tomorr Alizoti, Berisha zhvilloi sot një takim me pensionistë në hotel “Turizmi”, Elbasan.
Berisha tha se në një ekonomi tregu që funksionon në mënyrë normale, varfëria nuk rritet, por ulet progresivisht dhe pasuria nuk përqendrohet, por shpërndahet progresivisht.
“Në qoftë se i referohemi inflacionit të produkteve bazë dhe ilaçeve, rritja e inflacionit është 3,7 herë më e lartë se sa e rritja e inflacionit të përgjithshëm, për të cilin janë indeksuar pensionistët”, tha Berisha, ndërsa solli si shembull Malin e Zi, që sipas tij i ka pensionet 310 për qind më shumë se Shqipëria.
Berisha garantoi se në qeverisjen e ardhshme, qytetarët shqiptarë do të kenë rrogat më të larta dhe pensionet më të larta në rajon.
“Ne do vendosim rrogën minimale 500 euro si fillim, rrogën mesatare 1200 euro. Ne do bëjmë përshkallëzim, proporcionim të plotë të energjisë, të ujit dhe shërbimeve. Në këtë mënyrë me një ndërhyrje emergjente ne besojmë se do lehtësojmë dhimbjet e kësaj skamje që ka krijuar qëndrimi i qeverisë me rrogat dhe pensionet”, theksoi ai.
Sipas tij, “paratë janë, por do bëhet një shpërndarje krejt tjetër”.
“Ndaj dhe ne kemi vendosur së pari të vendosim minimumin jetik për çdo shqiptar 200 euro vitin e parë, si hapin e parë. Dhe mbi këtë 200 euro do llogarisim pensionet. Unë përpara projekteve do përparësoja qytetarët, pastaj projektet”, shtoi ai.
/m.m/r.e/