Berisha: Përgjigje urgjente ryshfetit që i paguhet drejtësisë, rishikojmë moshën e pensionit

TIRANË, 15 shkurt/ATSH/ Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një komunikimi me qytetarët në rrjetet sociale sot foli për programin e PD-së.
“Do të bëhet përmbysja e shpërndarjes të të ardhurave kombëtare dhe buxhetit të shtetit. Do shkojnë drejt qytetarit. Përgjigjja ndaj pensionistëve: minimumi jetik, rroga minimale, pagesa e papunësisë, ndihma ekonomike, marrin përgjigje 3 muajt e parë. Dëmshpërblimi i të përndjekurve politikë, rikthimi i pronës, natyrisht një arsim dhe kujdes shëndetësor cilësor do jenë përparësitë absolute tonat. Askush të mos mendojë se ora e ndërtimit, ora e zhvillimit do ndalojë”, nënvizoi Berisha.
Ai theksoi se dosjet e qytetarëve në gjykata po rriten nga viti në vit dhe nuk po zvogëlohen.
“Tre vite më parë ishin 136 mijë, sot janë 150 mijë, janë problemi ndër më të mëdhenjtë në historinë e shtetit shqiptar. Sot çdo shqiptar pret të paktën 15 vjet për një proces civil ose paguan qimet e kokës ryshfet për të afruar datën e tij. Sot ryshfeti që i paguhet drejtësisë është minimumi 3-5 herë më i madh sesa paguhej më parë. Kemi deklaruar përparësi absolute është bashkëpunimi ynë dhe përgjigjja ndaj këtij problemi në bashkëpunim me Komisionin e Venecias”, deklaroi Berisha.
Sipas tij, ata që e rrënuan dhe i lanë shqiptarët pa sistem drejtësie, i lanë pa proces të drejtë ligjor, ata nuk duhet të pranojnë këtë realitet.
“Garantoj shqiptarët se kjo është një përparësi absolute e jona dhe po me institucionet më të mira ndërkombëtare do t’i japim përgjigjen më të mirë. Situata është emergjente, do marrë përgjigje emergjente. Ne po punojmë me ekspertët më të mëdhenj në Europë, po përgatitemi që pas ardhjes në pushtet, pa humbur kohë, të kalohet në veprim”,
Për sa i përket ish-të përndjekurve, Berisha garantoi se do të finalizohet programi që parashikon dëmshpërblimin dhe kompensimin e tyre, i cili do jetë përparësi madhore e programit të PD-së.
Gjithashtu, Berisha tha se do të rishikohet mosha e pensionit. “Gjatë këtyre kohëve kam lexuar një material interesant. Në këtë material lexoj se pensioni në SHBA, që është 67 vjeç, shumica dërrmuese e amerikanëve marrin pension në moshën 62 vjeç.
Nuk vazhdojnë më tutje. Dhe unë garantoj se do ta rishikoj këtë moshë. Këta që e rritën këtë moshë, u ngutën. Unë premtoj rishikimin e saj”, tha ai.
/m.m/r.e/ /a.g/