E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Peshkopia, me lidhjet më moderne rrugore në 4 vitet e ardhshme

Peshkopia do të ketë në katër vitet e ardhshme lidhjet rrugore më moderne me Shkupin, Tiranën dhe Prishtinën. Kështu u shpreh Kryeministri Berisha në inaugurimin e fillimit të punimeve për sistemim asfaltimin e rrugës Ura e Cerenecit - Peshkopi (Maqellarë - Peshkopi ) loti 2. Kjo rrugë fillon në Maqellarë dhe lidhet me rrugën e Arbrit, përmes segmentit Ura e Cerenecit - Bllatë.
Kryeministri e vlerësoi shumë të rëndësishme për zhvillimin e zonës lidhjen e këtij segmenti me rrugën e Arbrit, ndërsa theksoi se "ndërtimi i këtij segmenti është një premtim elektoral i mbajtur i qeverisë".
Së shpejti, vijoi Kryeministri, do të nisë dhe ndërtimi i rrugës që bashkon Peshkopinë me Librazhdin, ndërsa këtë vit akademik në Peshkopi do të çelet universiteti, një premtim tjetër elektoral i mbajtur i qeverisë.
Kreu i qeverisë garantoi fermerët e zonës për ndërtimin dhe rindërtimin e gjithë sistemit vaditës të tokave, gjithë sistemit të ujësjellës- kanalizimeve, financimin e çdo druri frutor të mbjellë nga ata, subvencionimin për përpunimin e prodhimeve, etj. "Do të ngremë të gjithë infrastrukturën e duhur në mënyrë që ju të kapni me këto prodhime tregun e Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit", tha Berisha, duke nënvizuar se "fermerët e Peshkopisë kurrë nuk do të ndihen të braktisur, sepse kudo do të ndërtohet infrastruktura moderne".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›