Berisha: Po pengohet shqyrtimi i kërkesës për heqjen e imunitetit të Ballukut

TIRANË, 19 dhjetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se, po pengohet në Komisionin e Mandateve shqyrtimi i kërkesës për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Belinda Ballukut.
Në një deklaratë për mediet, Berisha tha se kryetari i Komisionit të Mandateve nuk u ka vënë në dispozicion deputetëve anëtarë të komisionit materialet e prokurorisë që, sipas tij, lidhen me çështjen në shqyrtim.
Ai shtoi se mbledhja e komisionit u ndërpre pas 6 orësh diskutime, pa u marrë një vendim për kërkesën e paraqitur.
Kreu i Partisë Demokratike deklaroi se opozita e konsideron këtë situatë si pengesë për funksionimin normal të institucioneve dhe për vijimin e procesit ligjor.
“Partia Demokratike dënon me forcën më të madhe aktin antikushtetues të fshehjes së provave të krimit dhe bllokimin e drejtësisë nga Edi Rama. Partia Demokratike i thotë Edi Ramës dhe Ballukut se asgjë në botë nuk ju shpëton ju nga ndëshkimi ligjor i merituar për vjedhjet tuaja”, deklaroi ai.
/a.f/r.e/