Berisha: Primaret u respektuan në pjesën më të madhe, lista 100% e ekuilibruar

TIRANË, 27 mars /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke folur për procesin e primareve brenda PD dhe listat e kandidatëve, tha sot se “primaret janë respektuar në pjesën më të madhe”. Sipas kryedemokratit, pothuajse në “çdo qark janë më të votuarit”.
“Nëse studiojmë atë listë del ndryshe, në listën e mbyllur janë kryetari dhe sekretari i përgjithshëm i partisë që ka një rol të pazëvendësueshëm. Vokshi ka një përkushtim shumë të madh dhe eficiencë të madhe. Është Topalli, pra, ka qenë kryetare parlamenti dhe koordinatore për diasporën. Është Belind Këlliçi, Klevis Balliu, më i votuari i kandidatëve në Tiranë”, tha Berisha, gjatë një interviste televizive për listën e kandidatëve në Tiranë.
“Është e vërtetë që mbrojtje i është dhënë fibrës politike të partisë, fibrës politike, duke ruajtur plotësisht bashkimin në diversitet siç e shpallëm, lista e hapur e kryetarëve të qarqeve është 100% e ekuilibruar, por këta nuk janë aty pse erdhën dhe u bashkuan, por se janë me eksperiencë të çmuar elektorale, fushata do organizatorë, sidomos ky sistem bizar, u zgjodhën si fibër politike, ka qenë e qëllimshme”, tha Berisha.
Kryedemokrati i cili është shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2021, e cilësoi ish-sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken si një “zyrtar të padenjë”.
Berisha tha se “Antony Blinken u provua një zyrtar i padenjë dhe uroj që drejtësia amerikane t’i tregojë vendin për mashtrimin që i ka bërë popullit amerikan, është publik, i dokumentuar”.
Sa i takon hedhjes së gjyq të Blinken, Berisha tha se “ajo hedhje në gjyq bëri lajm botëror dy herë më të madh se lajmi që kishte bërë me sanksionimin tim”.
Ndër të tjera Berisha tha se “një mik në SHBA më sulmoi si armik”, por e “gjeti në pozicion”.
“Ai më sulmoi në një mënyrë shumë të padrejtë, të pandershme, më sulmoi si një armik në një kohë kur ne si shqiptarët kemi kultin e mikut dhe e kemi shumë mirë, një mik del dhe të gjuan si armik, por ai më gjeti në pozicion, këtë e them, nuk e kam thënë kurrë, se kjo është e vërteta më e madhe e Sali Berishës, ai nga i cili unë isha frymëzuar, kishte humb çdo betejë, por s’ngurroi të merrte pjesë në betejë”, tha Berisha.
/r.e/