Berisha: Protestojmë kundër Ramës, është armik i Evropës dhe i shqiptarëve

Sali Berisha, nga njësia nr.5 në Tiranë, deklaroi se më 6 dhjetor mblidhen në kryeqytet të gjithë liderët e BE dhe të Ballkanit Perëndimor në një samit të përbashkët dhe ky, sipas tij, “është një nder i papërsëritshëm për Shqipërinë”.
“Është përzgjedhje e një rëndësie historike me të cilin Evropa i thotë Vladimir Putinit dhe të tjerëve, se Shqipëria është territor ynë dhe harroni se mund të keni ambicie të tjera. Ky samit, në rrafshin strategjik, është në interes të shqiptarëve dhe i jep goditje projektit të Vuçiçit, Ramës dhe vasalit të tij në Shkup, për Ballkanin e Hapur.”- tha Berisha.
Ai ka ftuar liderët e BE-së që tubimin e tij më datë 6 dhjetor ta marrin si përshëndetje dhe mikpritje ndaj vlerave të tyre.
“Jemi në shesh për të protestuar kundër armikut të përbetuar të vlerave evropiane, Ramës dhe regjimit të tij. S’do fshehim asgjë, ne dalim më datë 6 për t’i thënë Evropës se ky s’përfaqëson asnjë opozitë, as popullin. Është armik i shqiptarëve, I identitetit, kulturës, i fondeve të tyre. Ai që e quan veten shqiptar duhet të jetë në protestën më të fuqishme kundër Ramës dhe klikës së tij, në një protestë të paparë ndonjëherë në historinë e Tiranës.”-tha Berisha.
/rtsh.al/