Berisha: Rama, kreu i mafias në Shqipëri. Do hetohet së shpejti edhe këtu

Kreu i grupit të ‘Rithemelimit’ të Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë takimit me FRPD-në, kryetarët dhe drejtuesit politik të degëve të Tiranës deklaroi se kreu i mafies në Shqipëri është vetë Edi Rama.
Duke iu referuar intervistës së kreut të SPAK, Altin Dumani për gazetën italiane ‘La Repubblica’, Berisha tha se mafia në Shqipëri është vetë Edi Rama dhe qeveria që ai drejton.
“Kandidatët e tyre janë kandidatë të nomenklaturës. Por të cilës nomenklaturë do thoni ju. Të nomenklaturës të shtetit mafioz, nomenklaturës së mafies. Një gazetar e pyeste kreun e skapit, i thoshte a ka në Shqipëri mafie të strukturuar. Kreu i skapit i përgjigjej nuk ka tamam se nuk kanë kryetar. Nuk guxonte të thoshte se këtu është shteti, mafia.
Në Shqipëri në dallim nga vendet e tjera, atje ka Ndrangheta boss, ka Sacra Corona Unita, kurse këtu është Edi Rama, është qeveria. Është absolutisht ajo që shkruante Bild, shteti i mafias së drogës”, ka theksuar Berisha.
Sipas Berishës, kandidatët e majtë për zgjedhjet vendore të 14 majit janë kandidatë që janë të lidhur me trafikantë dhe kanë vjedhur tendera.
“Dhe kandidatët e kësaj mafie janë kandidatët e vesit, janë kandidatë që kanë vjedhur me tendera, janë kandidatë të lidhur me një mijë fije me trafikantët, janë kandidatë të cilët u rëndojnë thasët me euro qytetarëve.
U rëndojnë lidhjet me drogën, u rëndon fakti se për ta nuk ka votuar një socialist i vetëm, të gjithë kanë dalë nga sirtarët e Edi Ramës, u rëndon tmerrësisht vetë Edi Rama.
Çdo kandidat e di, se i ka kohërat e numëruara. Se mëkatet e tij janë të pafundme, se është i vetmi kryeministër që është në hetim ndërkombëtar dhe së shpejti dhe kombëtar. Është i pashpresë, kjo është e vërteta”, theksoi më tej Berisha.
/rtsh.al/