E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha: Rama sulmoi gjyqtarë e prokurorë, KLGJ e KLP heshtin. “Karteli Troplini” mbron bandat e drogës

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka sulmuar publikisht një prokurore dhe një gjykatës, ndërsa institucionet e drejtësisë, KLGJ dhe KLP, nuk reaguan.

Sipas tij, ky është një precedent i rrezikshëm për pavarësinë e drejtësisë, ndërsa institucionet përgjegjëse zgjodhën heshtjen.

“Edi Rama sulmoi me egërsinë më të madhe një prokurore me mbiemrin Gjeli, e cila në mënyrë absolute kishte zbatuar pikë për pikë atë që kërkohej në raportin e policisë së Shkodrës. Dhe pas prokurores Gjeli që nuk la turfullim pa bërë kundër saj, iu vërsul një gjykatësi tjetër, Balliu mbiemër, për fajin e vetëm që ky gjykatës, në përputhje me vendimin, i cili i njihte shkelësit e ligjit të drejtën e parablerjes me firmë të Edi Ramës, kishte vendosur masën e sigurisë, sepse Edi Rama pavarësisht nga pafytyrësia e tij, kërkonte që gjykatësi të mbajë dy standarde, njëherë ta zbatojë dhe njëherë të mos e zbatojë. A dëgjuat ju, dy sulme të egra, a dëgjuat ju një fjalë të vetme nga dy institucionet kryesore të drejtësisë, të cilat detyrimisht duhet të merrnin në mbrojtje këto individë sepse kishin zbatuar ligjin. Asnjë fjalë, heshtje varri”, tha Berisha.

Më herët, Edi Rama kritikoi prokuroren Elsa Gjeli dhe gjyqtarin Hazbi Balliu gjatë aksionit për lirimin e hapësirave publike. Kryeministri tha se prokurorja Gjeli kishte refuzuar të niste hetimet kur Policia e Shtetit pati raportuar për ndërtimet pa leje në zemër të Thethit, ndërsa Ministria e Drejtësisë ka nisur procedurat për të denoncuar prokuroren Elsa Gjeli pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), pas akuzave publike për mosveprim në këtë çështje.

Gjatë deklaratës së tij para SPAK, Berisha akuzoi edhe kreun e këtij institucioni, Altin Dumanin, për lidhje me bandat e drogës. Ai tha se “karteli Troplini” ka ndikim të drejtpërdrejtë në institucionet e drejtësisë dhe se policia nuk guxon të futet në territoret që kontrollohen prej tyre.

“Altin Troplinin e dekoroi sot, aty po e dekoronte Elvis Doçi, e shpalli president nderi të kartelit Troplini pikërisht për këtë bashkëpunim kriminal të ngushtë që është vendosur mes personave të ngushtë këtu. Nuk përjashtohet, një pjesë është edhe policia pa diskutim, por rastet janë flagrante, që akuzohen vetë këta prokurorë dhe kjo përbën një problem madhor për rendin dhe sigurinë, pasi unë u them ju që sot padrinot janë të lirë, janë në Xhafzotaj, jetojnë në një territor ku nuk futet policia dhe askush dhe vazhdojnë të qetë njësoj si Suel Çela, i cili në një kohë kur bënte terror në Elbasan për zgjedhjet, Altin Troplini dizinformonte të huajt se ai është në Dubai apo në dhera të tjera”, tha Berisha.

Berisha ngritit akuza edhe ndaj një ligji të miratuar nga mazhoranca pas largimit të PD-së nga Kuvendi, ku sipas tij i jep SPAK-ut të drejtën të përgjojë gjykatësit.

“Nen që i lejon, autorizon, kreun e Skapit të regjistrojë telefonat e gjykatësve që ky dërgon dosjet. Por nuk mund të pranohet kurrë se një gjë e tillë nuk mund të pranohet. Nuk mund të pranohet që prokurori të regjistrojë telefonin e gjykatësit që i çon dosjen. Nuk ekziston një parim i tillë”, tha Berisha.

Sali Berisha ndodhet në masën “detyrim paraqitje” lidhur me dosjen e privatizimit të ish kompleksit Partizani, ku akuzohet për korrupsionit pasiv pasi ka ndërmarrë veprime ku përfitues të ishte edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, i cili është gjithashtu nën hetim.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›