E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha: Rama të mbajë duart larg familjes shqiptare, votoni të lirë

Kreu i Partisë Demokratike u ka bërë thirrje qytetarëve të Kukësit por jo vetëm që në 11 maj të votojnë të lirë dhe të mos bëhen bashkëfajtorë me pushtetin.

“Unë e di se ka punonjës administrate që u luten, u stërluten, fotografoni votën, ma dërgo se ma kërkon shefi. Asnjë fotografi mos bëni, qëndroni njerëz të lirë, votoni për Kukësin, për Hasin, për Tropojën.

Votoni për vlerat që përjetoni në vendet tuaja. Mos votoni Pashiqin e shqiptarëve.

Se ata që u kërkojnë ju votën për të mbrojtur vendin e punës, ata kryejnë një gabim të madh shumë. Ju mos u bëni bashkëfajtorë me ta. Ju votoni të lirë. Votoni për Kukësin, Hasin, Tropojën, Shqipërinë. Votoni për kombin dhe jo armikun e kombit”, u shpreh Berisha gjatë prezantimit të kandidatëve për deputetë në qarkun e Kukësit.

Kreu i demokratëve i ka bërë apel kryeministrit Edi Rama që të qëndrojë larg familjes dhe fëmijëve shqiptarë me ato që përcjell, pasi sipas Berishës ai është kundër botëkuptimit të shqiptarëve për familjen.

“Herën e tretë nxjerr fëmijët përpara dhe në një propagandë absolutisht të dënueshme, 100 për qind të dënueshme, u thotë kontrolloni në Google videot e tij nudo. Mburret me to.

Të dashur miq, këto nuk janë rastësi. Jo, jo. Këto janë botëkuptim i atyre të cilët vërshuan jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë, kundër familjes dhe vlerave të saj. Është botëkuptimi i atyre të cilët thanë se ka ikur koha të quajmë nënën, nënë dhe babën, babë.

Është botëkuptimi i atyre të cilët prunë në parlament ligjin për të krijuar fermat e grave dhe për të lindur fëmijët e askujt. Është botëkuptimi i njerëzve që kanë humbur të gjitha normat morale të njerëzve normalë. Por, Edi Rama, këto nuk do kalojnë kurrë tek Shqipëria dhe shqiptarët”, tha më tej Berisha.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›