Berisha-Ramës: Bojkoti, përpjekje për të penguar integrimin
TIRANË- Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar sot se bojkoti i socialistëve është një përpjekje e pandershme për të penguar integrimin e vendit dhe liberalizimin e vizave.
Duke pohuar se shqiptarët e kanë treguar vullnetin e tyre në 28 qeshor dhe ndërkombëtarët e kanë dhënë vlerësimin, me vendimin për proceset integruese, Berisha ka lënë të kuptohet se nuk do të ketë hapje të kutive.
Deklaratat u bënë inaugurimit të ujësjellësit dhe rrugës kryesore të fshatit Gjokaj, në Vorë.
"Për fat të keq, një grup në krye të Partisë Socialiste, i drejtuar nga Edi Rama, kanë zgjedhur rrugën e protestës. Kjo është një rrugë normale, por nuk mund të mos theksoj këtu se përpjekja për t'i bllokuar këto procese me qëndrimin jashtë Parlamentit; përpjekja për t'i dëshmuar Evropës se Shqipëria nuk meriton heqjen e vizave; se Shqipëria nuk meriton statusin e vendit kandidat, sepse unë jam në rrugë dhe jo në Parlament, është jashtëzakonisht e pandershme"- tha ai.
Sa për kërkesën për kutitë, sipas Berishës përgjigjen e kanë dhënë vetë qytetarët shqiptarë, të cilët votuan me dinjitetin më të madh më 28 qershor.
"Përgjigjen e more nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat mbi bazën e vlerësimit të reformave dhe veçanërisht të zgjedhjeve të lira, i hapën dyert Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Evropian. Përgjigjen ta dhanë 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat mbi bazën e vlerësimit të përpjekjeve të ndershme dhe serioze të shqiptarëve vendosën që të procedohet me shpejtësi për heqjen e vizave për shqiptarët"- tha ai.