E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Raporti i IBAR kaloi për shkaqe gjeopolitike

TIRANË, 25 maj/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur në ‘Foltoren’ te Kryeministria, deklaroi se do t’i rikthehen “kryengritjes tonë paqësore”.

Berisha tha se “në rreshtat e parë të raportit që firmoset nesër, në fjalitë e para të raportit të Parlamentit Evropian, zgjedhjet damkosen si farsë”.

“Ne kemi respekt për flamujt e kombeve partnere dhe mike, por respektin më absolut, flamurin që ne vëmë krahas flamurit kombëtar, është flamuri i votës së lirë. Ja të vdesim, ja të rrojmë është motoja jonë”, tha kreu i PD.

Ai pohoi se “nuk ka gjë në botë që na ndalon ne në kilometrin e fundit, të cilin e kemi arritur me sakrifica, me guxim, me vendosmëri. Ne ecim të sigurt pra drejt kësaj beteje”.

Gjithashtu, Berisha tha se Raporti i IBAR kaloi për shkaqe gjeopolitike.

“Nesër, Edi Rama shkon në Bruksel për konferencën ndërqeveritare për IBAR-in. Ka një faktor gjeopolitik dhe ky rajon do t’i përkasë BE dhe ky është një vlerësim jashtëzakonisht i drejtë historik dhe me interes shumë të madh për kombet tona. Por me përmbajtjen e tij, Edi Rama është në rreth të kuq”, nënvizoi ai.

Kreu i PD shtoi se “tani zëri ynë është më i fortë se kurrë, vullneti më i fuqishëm dhe vendosmëria më e madhe se kurrë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›