Berisha: Rendi dhe siguria në duart e krimit, do transformojmë tërësisht situatën

TIRANË, 9 prill/ATSH/ Kryetari i partisë Demokratike Sali Berisha prezantoi sot programin elektoral të koalicionit “Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, për fushat e sigurisë dhe rendit.
Berisha vlerësoi punonjësit e policisë që sot bëjnë çdo përpjekje për të zbatuar ligjin në kushtet më të jashtëzakonshme, ndërsa siguroi se “për PD-në, qeverinë e saj, rendi dhe siguria do të jenë përparësia absolute më madhore”.
“Një nga shtyllat kryesore të programit tonë, ne kemi përcaktuar pastrimin e shtëpisë sonë si kusht i domosdoshëm për një Shqipëri Madhështore. Si kusht i domosdoshëm për një Shqipëri në të cilën jeta e individit, veprimtaria e tij të jenë të garantuara, të sigurta.
Në të cilën investitorët e huaj të vijnë të sigurt në Shqipëri për të vendosur investimin e tyre, ëndrrën e jetës së tyre, çka sot jemi në një situatë krejt të kundërt”, tha ai.
Berisha theksoi se “jemi në një situatë ku për fatin më të keq, rendi dhe siguria janë tërësisht në duart e krimit”.
“E vërteta është se sot në krye të Policisë së Shtetit është një bashkëpunëtor i bandave, një i emëruar i tyre. Rendi dhe siguria në Shqipëri janë absolutisht në duart e krimit.
Krimi urdhëron emërimin e drejtorëve, shkarkimin e tyre. Në të vërtetë, kurrë ndonjëherë në Europë nuk ka pasur një regjim sipërmarrje e përbashkët mes pushtetit dhe krimit siç është kjo në Shqipëri”, shtoi Berisha.
Berisha siguroi se një transformim rrënjësor do të ndodhë në fushën e rendit dhe sigurisë ndërsa shprehu besimin se kjo do të jetë një nga reformat më të suksesshme.
Kreu i PD-së u bëri thirrje të gjithë punonjësve të Shërbimit Informativ që të distancohen nga çdo veprim dhe inkriminim, nga çdo politizim në interesin më të mirë të tyre dhe të vendit të tyre.
Po ashtu, Berisha siguroi se rrogat do rriten progresivisht për të gjithë punonjësit e policisë, veçanërisht të niveleve të inspektorit, të komisarit, në mënyrë që të ngushtohet hendeku që, sipas tij, është krijuar edhe në polici mes rrogave të larta dhe rrogave të ulëta. /m.m/j.p/