E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rritje te paga e pensioneve, jo me para borxh

Kemi mbidyfishuar fondin në krahasim me vitin 2005

Rritja e pagave dhe pensioneve nuk është bërë me para borxh, por duke mirëmenaxhuar taksat dhe kontributet e çdo shqiptari. Deklaratat e socialistëve për këtë gjë janë thjesht mashtrime. Kështu ka siguruar nga Himara Kryeministri Sali Berisha. Ndërsa ka marrë pjesë në përurimin e infrastrukturës rrugore në këtë zonë, ai ka deklaruar se ne jemi i vetmi vend në Evropë dhe botë që në një hark kohor 4- vjeçar kemi mbidyfishuar fondin e pensioneve. Berisha ka theksuar se shifrat vërtetojnë më së miri suksesin e qeverisë së djathtë në krahasim me qeverisjen socialiste.

Rritja ekonomike

Duke bërë krahasime me qeverisjen socialiste, Berisha tha se në vitin 2005, i gjithë fondi i pensioneve ishte 50 miliardë lekë, por sot, fondi i pensioneve është 109 miliard lekë, pra është mbidyfishuar. Fondi i ndihmës ekonomike, - shtoi ai, - nga 14 miliardë, sot është 33 miliardë lekë, ndërsa paga mesatare e administratës ishte 23 mijë lekë, sot ajo është 46 mijë lekë. Ju i dëgjoni si bërtasin e si përpiqen të mbjellin trillim e mashtrim përditë, si derdhin lot krokodili për borxhin. Jo, ju dhe asnjë shqiptar nuk i keni borxh askujt. Ta mbani ballin lart, sepse ne asnjëherë nuk kemi marrë borxh asnjë qindarkë për rrogat dhe pensionet tuaja. E kundërta ka ndodhur. Ne kemi gjetur një borxh prej 72 për qind të prodhimit të vendas dhe sot ai është 59 për qind, - tha Kryeministri. Sipas tij, sot Shqipëria është krejt tjetër, është një vend për pret mbi 3 milionë turistë në vit, që ka 3 herë më shumë studentë se në vitin 2005, që ka një fond pensionesh 2 herë më të madh se në vitin 2005, një fond pagash 2 hyrë më të madh dhe fond ndihme ekonomike 2 herë më të madh. Një Shqipëri, anëtare e NATO-s. Një Shqipëri, qytetarët e së cilës brenda muajve të fundit të këtij viti do të lëvizin të lirë në mbarë Evropën. Kjo është vepra jonë e përbashkët, - theksoi kreu i qeverisë. Berisha ka pohuar se në seancën e fundit plenare ai ka ftuar opozitën të bëhej pjesë e përurimeve, por ajo nuk ka pranuar. Nuk u them të mos e qortojnë dhe kritikojnë qeverinë, le ta kritikojnë, por të mos mohojnë asgjë, se ato që ne kemi arritur, i kemi arritur me djersë, mund e ndershmëri, i kemi arritur në kohën më të vështirë për Evropën dhe botën dhe ekonomia jonë qëndron, sepse është ekonomi e lumenjve të djersës. Askush nuk e nxjerr kafshatën dhe ndërton jetën e tij më me vështirësi sesa ju, të cilët keni hapur shkëmbin dhe keni ndërtuar kopshtet. Dhe po kështu është e mbarë Shqipëria. Ndaj dhe ne rrisim rrogat, pensionet, ndërtojmë shkolla të reja, rrugë, ujësjellës, kanalizime, - tha ai.

Beteja kundër korrupsionit, betejë për jetë a vdekje

Kreu i qeverisë premton se lufta kundër korrupsionit do të jetë përsëri prioritet i kësaj qeverie. Vij me kënaqësi të madhe këtu, se Shqipëria këtë vit u rendit e dyta në botë për transparencën e prokurimeve publike dhe ju jap fjalën se betejën kundër korrupsionit, për sa kohë të më votoni, do ta kem betejën e parë për jetë a vdekje, - ka deklaruar Berisha nga Himara. Në kuadër të mirëmenaxhimit të fondeve ai shtoi: Në Bashkinë e Himarës kemi ndërtuar dhe janë në përfundim e sipër 62 kilometra rrugë, por ju garantoj se po kaq kilometra janë të ndërtuara në Bashkinë e Shijakut, Fushë-Krujës, të Devollit dhe në dhjetëra e dhjetëra bashki të tjera. Gjatë 4 viteve që shkuan, ne ndërtuam në infrastrukturë dhjetëra herë më shumë se qeveritë pararendëse.

Rritja në 5 vite qeverisje

2 herë më shumë paga e pensione në katër vite

50 milionë lekë fondi i pensioneve në vitin 2005

109 milionë lekë fondi i pensioneve në vitin 2010

14 miliardë lekë fondi i ndihmës ekonomike në vitin 2005

33 miliardë lekë fondi i ndihmës ekonomike në vitin 2010

230 mijë lekë paga mesatare në vitin 2005

46 mijë lekë paga mesatare në vitin 2010

72 për qind borxhi në vitin 2005

59 për qind borxhi në vitin 2010

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›