E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: SPAK amniston krimin elektoral, armik i pluralizmit

TIRANË, 10 tetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u shpreh sot se qëllimi i atyre që vizitojnë SPAK është inkurajimi i institucionit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por si u shpreh ai, “SPAK-u është një armik i egër i pluralizmit politik në Shqipëri”.

I pyetur në bashkëbisedimin e sotëm me qytetarët në rrjetet sociale, në lidhje me vizitën e senatorëve amerikanë dhe ambasadorit amerikan në mjediset e SPAK, Berisha pranoi se ky institucion është ndër më të vizituarit nga zyrtarët e huaj.

Por, vijoi ai, SPAK ka problemin më themelor se amniston krimin elektoral në emër të interesave të partisë së tij.

“Se SPAK-u ka mbi 51 dosje të dorëzuara me dokumente, 1500 faqe libri, mbi 51 dosje të krimit elektoral, që përfshijnë Edi Ramën, përfshijnë ministrat, të denoncuar dhe në raportin e vëzhguesve të OSBE-ODIHR-it, nuk ka shfletuar asnjë dhe i ka amnistuar.
Për mua, për Shqipërinë, për shtetin ligjor, ky është problemi më madhor, numër një i SPAK-ut”, u shpreh Berisha.

Sipas tij, përderisa SPAK-u mban këtë qëndrim ndaj krimit elektoral, ai është një armik i betuar i pluralizmit politik.

“Dhe kjo është e faktuar, s’ka asgjë më të faktuar se kjo, cilido që e viziton. Amnistimi i krimit elektoral është atentat ndaj pluralizmit, për aq sa vota e lirë, për aq sa partitë politike kanë peshën në pluralizmin politik”, vijoi Berisha.

Po ashtu, kreu i Partisë Demokratike u pyet edhe në lidhje me paketën e fundit me ndryshime ligjore në Kodin e Procedurës Penale, për të cilën u shpreh se me këto ndryshime “organizatës socialiste të partisë që quhet SPAK, partia ia hoqi dhëmbë dhe dhëmballë”.

“Nuk ka asnjë fjalë nga KLP-ja e partisë, këshilli i prokurorëve. Prokurorëve u është hequr e drejta të nisin hetime pa njoftuar personin mbi bazën e informacioneve të mjaftueshme për të nisur hetimin”, komentoi Berisha.

Ndërkaq, Berisha deklaroi në bashkëbisedim se parlamenti i ardhshëm nëse PD fiton zgjedhjet, do të miratojë një hartë të re të qeverisjes vendore, me synimin për t’ua rikthyer bashkitë komuniteteve dhe qytetarëve.

Berisha kritikoi votimin e fundit në Kuvend për ndryshimet në hartën territoriale, duke akuzuar mazhorancën se ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën dhe parimet e qeverisjes vendore.

Berisha tha se propozimi i PD-së për një hartë me mbi 100 njësi vendore synonte t’u përgjigjej shpopullimit, nevojave për shërbime dhe zhvillimit të zonave të vendit.

Kreu i PD-së deklaroi se rreth 300 mijë qytetarë të bashkive të prekura kanë firmosur peticione për mbajtjen e referendumeve.

Ai tha se opozita do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore kundër vendimit, pavarësisht rezervave që shprehu për funksionimin e gjykatave dhe mundësinë e zhvillimit të referendumeve.

Kreu i PD-së foli edhe për përzgjedhjen e kandidatëve për kryetarë bashkish në zgjedhjet e ardhshme vendore.

I pyetur se kur do të publikohen emrat e kandidatëve, Berisha tha se procesi nuk do të lihet për në momentet e fundit dhe se publikimi do të nisë shumë shpejt.

“Do të fillojmë shumë shpejt publikimin e emrave të tyre”, deklaroi ai.

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›