E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Salianji, axhendë personale. Disa prej pjesëmarrësve në takim punuan në 11 maj për kandidatët socialistë

Kryetari i PD Sali Berisha ka ashpërsuar tonet ndaj ish-deputetit Ervin Salianji, duke e cilësuar takimin e djeshëm në Durrës si axhendë personale të zotit Salianji.  Berisha i kujtoi Salianjit se në asnjë forum të PD nuk ka folur për problematikat që ngriti në takimin e djeshëm.

“Është një anëtar kryesie, i cili ka një axhendë personale, i uroj ta vazhdojë sa të ketë qejf. Është një anëtar kryesie, i cili është i kooptuar në kryesi, i cili në asnjë mbledhje kryesie nuk ka shtruar asnjë nga këto probleme, i cili ka një zonë në Kombinat i ngarkuar për analizën dhe të gjitha”, tha Berisha.

Berisha akuzoi disa prej pjesëmarrësve në takim se në 11 maj kanë punuar për kandidatët e Partisë Socialiste.

“Disa prej tyre që i njoha, pashë individë që kanë punuar për Ami Dyrmishët, pashë të tjerë që ia kanë mbathur në mes të fushatës për turizëm në mënyrë të dokumentuar. Tani këta nuk mund të më impresionojnë mua”, shtoi Berisha.

Deputetët e Partisë Demokratike u treguan më të kujdesshëm në komentet për lëvizjen e Salianjit, por asnjë prej tyre nuk e mbështeti.

“Qeveria është në krizë totale”, tha Topalli.

“Të vazhdojmë përballjen me kundërshtarin, partinë ta lejmë te partia”, u shpreh Tabaku.

“Keni ndonjë pyetje për qeverinë? Ai është miku im dhe është djalë i mirë”, deklaroi Tomor Alizoti

Një ditë më parë Ervin Salianji dhe Ilir Alimehmeti zhvilluan një takim me demokratët në Durrës dhe kërkuan reformimin dhe hapjen e Partisë Demokratike, por asnjë prej tyre nuk artikuloi asnjë kritike ndaj kryetarit të PD Sali Berisha./vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›