E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha Shqiperia model suksesi

Pas pjesëmarrjes në Konferencën e Parisit për të diskutuar sfidat e zhvillimit gjatë vitit 2012, kryeministri Berisha tha se aty u diskutuan modelet e suksesshme ekonomike të vendeve të Azisë dhe Amerikës së Jugut, por në vëmendje ishte edhe modeli shqiptar, i cili ka siguruar shumëfishimin e investimeve të huaja dhe rritjen e të ardhurave.

"U diskutua gjerësisht mbi modelet e suksesit dhe siç e konstatuat theksi u vu kryesisht në vendet e BRIK-ut, Brazil, Rusi, Indi, Kinë, por, e vërteta është, se theksi dhe një vend të veçantë pati edhe modeli i Shqipërisë, si një ndër modelet më të suksesshme sot. Model, i cili ka garantuar rritjen e konsoliduar të ekonomisë, një model, i cili, ndoshta si asnjë vend tjetër, ka realizuar rritjen me 100 për qind të eksporteve shqiptare, pra, dyfishimin e tyre në harkun kohor 2009-2011, një model që ka shënuar rritjen prej 316 për qind të investimeve të huaja në harkun kohor 4 vjeçar, një model, i cili në një hark kohor 5-6 vjeçar i ka dhënë të ardhura ekonomike vendit mbi 7 miliardë dollarë më shumë. Ky model, i bazuar në lirinë ekonominë, taksat e ulëta, qeverinë e vogël, përmirësimin e klimës së biznesi dhe zhdukjen e pengesave burokratike, u konsiderua këtu dhe konsiderohet kudo, siç u theksua dje, si një model suksesi. Pata rastin të bëj një ekspoze të këtij modeli dhe të shpreh mendimet e mia për potencialet e mëdha të Shqipërisë", tha Berisha.   

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›