E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Shqipëria po shkon drejt asgjesimit kombëtar për shkak të narkoshtetit

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një komunikim publik me ndjekësit e tij në rrjetet sociale, deklaroi se Shqipëria po përballet me “krizën më të rëndë demografike në historinë e saj moderne”, duke akuzuar qeverinë për krijimin e asaj që ai e cilësoi “narkoshtet”.

Berisha tha se Partia Demokratike ka arritur të miratojë një rezolutë në Internacionalen Demokrate të Qendrës (CDI), e cila, sipas tij, “dënon Shqipërinë e Edi Ramës si shtetin e farsës elektorale dhe të shtypjes së pluralizmit”. Ai e përshkroi këtë si një arritje të rëndësishme për PD-në, duke theksuar se “denoncimi ndërkombëtar i situatës është një detyrim dhe hap i domosdoshëm”.

Në fjalën e tij, Berisha akuzoi qeverinë se ka shkaktuar një ikje masive të qytetarëve në dekadën e fundit. Ai pohoi se “rreth 45% e popullsisë është larguar nga vendi në 10 vitet e fundit”, duke e lidhur këtë me atë që e quajti “narkoshteti i lidhur me krimin dhe drogën”.

Sipas tij, Shqipëria sot është kthyer “100 vite mbrapa” për sa i përket treguesve demografikë. Duke iu referuar të dhënave të OKB-së, Berisha deklaroi se vendi ka “lindshmërinë më të ulët në botë” dhe se që nga viti 2018 “numri i vdekjeve ka qenë më i lartë se ai i lindjeve”.

“Me këtë ritëm ne ecim drejt boshatisjes së vendit dhe asgjësimit kombëtar”, u shpreh ai, duke theksuar se PD do të vazhdojë “denoncimin e narkoshtetit dhe pasojave të tij”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›