E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Sistemi i privatizimit do godasë rëndë korrupsionin


Sistemi i privatizimit do godasë rëndë korrupsionin. Kjo ka qenë deklarata e kryeministri Berisha në mbledhen e qeverisë, i cili e konsideroi procesin e pritvatizimit si procesin më të rëndësishëm,. "Me procesin e privatizimit i jepet goditje fatale korrupsionit, që është përparësi e kësaj qeverie. Por nga ana tjetër, në këtë proces, duke ndryshuar pronësi dhe menaxhim krijohen vlera shumë më të mëdha sesa këto prona të mbeteshin në duart e shtetit. Kam dëgjuar të shprehet dizaprovim për politikat e privatizmit. Por këto janë politika të tregut të lirë, të cilat konsolidojnë sistemin mbi pronën private", u shpreh ai.
Berisha kërkoi që edhe për këto politika të organizohen debate me shoqërinë civile.
Kryeministri Sali Berisha ndër të tjera deklaroi se një sërë reformash të mëdha janë në proces e sipër. Berisha theksoi se për reformat do të konsultohen qarqet akademike e shoqëria civile. "Reformat kërkojnë konsulta të hapura me të gjithë faktorët.Konsultat duhet të përfshinë qarqet akademike të vendit. Nuk duhet të shkëputemi nga mendimi akademik. Konsulta duhen bërë edhe me shoqërinë civile", tha ai.
Kryeministri kërkoi nga ministrat që të programohet një sëri debatesh e konsultimesh me shoqërinë civile, botën akademike, qytetarët, grupet e interesit e biznesin për reformat në arsim, shëndetësi, ekonomi e të tjerë. "Që të sjellim Shqipërinë në moshën dixhitale duhet kaluar në një seri konsultash", shtoi ai. Berisha kërkoi lehtësim të klimës së biznesit.
Sipas kryeministrit, të dhënat ekonomike të dy muajve të parë të 2010-ës dëshmojnë se Shqipëria po vrapon.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›