Berisha: Taksa ndaj profesioneve të lira të hiqet e para, bashkë me taksën e Rrugës së Kombit

Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se taksa ndaj profesioneve të lira të hiqet e para, bashkë me taksën e Rrugës së Kombit. Në protestën e përditshme që zhvillon çdo ditë nga dritarja e banesës së tij bashkë me demokratët në rrugën “Mustafa Matohiti” , Berisha tha se vendosja e taksës ndaj profesioneve të lira po bën që shqiptarët të largohen jashtë vendit.
“Profesionet e lira ofrojnë universin e shërbimeve ndaj qytetarëve. Mungesa e këtyre shërbimeve është nxitje direkte e fuqishme për të braktisur vendin. Është nxitje e shqiptarëve për t’u larguar masivisht nga Shqipëria siç po largohen. Është një akt i tmerrshëm për një shoqëri. Taksa që vendosi Edi Rama është një taksë antikombëtare ndaj tyre. Taksa që vendosi Edi Rama është një rrënim i shërbimeve për qytetarët” , u shpreh Berisha.
Sipas Berishës, ajo që po ndodh me profesionet e lira, është një akt që po godet të rinjtë dhe të rejat shqiptare.
“Kjo që po ndodh me profesionet e lira është një akt që synon një goditje mëshire për qenien tonë kombëtare. Profesionet e lira janë disa dhjetëra mijë djem, vajza, burrë, gra, njerëz duhet të pranojmë të zot, të aftë, që kanë vendosur të fitojnë jetën e tyre me profesionin që kanë.
Që kanë vendosur të mos i vardisen, të mos i luten kujt për punë në shtet, por të ndjekin punën e tyre. Këto profesione, kjo shtresë përbën shtresën e kohezionit të një shoqërie në çdo vend të lirë.
Pikërisht u vendos në mënyrën më arbitrare, më armiqësore ndaj shqiptarëve dhe ndaj tyre, që të tatohen aq sa në asnjë vend tjetër të Europës. Dhe që të detyrohen ose t’i bëjnë të ndaluara shërbimet e tyre për qytetarët, pra të rrisin çmimet, ose të largohen nga Shqipëria”, tha Berisha.
Ai theksoi se Partia Demokratike “i garanton se në një akt të parë të fitores së PD, ajo taksë do hiqet e para, bashkë me taksën e Rrugës së Kombit”.
/rtsh.al/