Berisha: Të djeg zemra kur shqiptarët largohen nga vendi, por jo kur ikin në SHBA. Shqiptarët kanë shkuar në Hënë
Kryeministri Sali Berisha përsëriti në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar gjërat që tha edhe në 100 vjetorin e organizatës Vatra. Berisha tha se i vjen keq kur shqiptarët largohen nga vendi, por jo kur ikin në SHBA. Berisha tha se nga SHBA një shqiptar ka ikur në Hënë, por nuk specifikoi për cilin rast bëhet fjalë. Ka pasur disa lajme në formë thashethemesh se një flamur shqiptar është vendosur në Hënë nga një astronaut me emrin Alan Shepard. Vizita ime u mbyll me pjesëmarrjen në ceremoninë e 100 vjetorit të Federatës pan-amerikane VATRA, e cila festonte 100 vjetorin me një kontribut të jashtëzakonshëm në historinë tonë kombëtare. Kontributi i VATRËS, nga dita e themelimit të saj në 28 prill të vitit 1912, deri në ditët e sotme, bën krenar çdo shqiptar dhe ushqen me ndjenjat më të thella të atdhetarisë, të mirënjohjes, të krenarisë, për rolin e madh dhe të rëndësishëm që kjo organizatë ka luajtur në të gjitha zhvillimet kombëtare gjatë këtij shekulli, ka luajtur në miqësinë dhe bashkëpunimin mes dy vendeve dhe kombeve tona, në rolin e shqiptarëve gjithnjë e në rritje në SHBA. Ne jemi krenarë me diasporën tonë në këtë vend, e cila edhe duke mos qenë ndër më të pasurat, ka shpalosur aty, më mirë dhe më fuqishëm se kudo në botë, gjeninë krijuese. Në këtë vend të madh, shqiptarët arritën në Hënë, u bënë nga astronautët e shquar, morën çmim Nobel, u përfaqësuan si yje të Hollivudit. Pra, unë ua thashë edhe atyre në takim, se zemra të djeg kur sheh shqiptarë që largohen nga Shqipëria, por jo kur sheh shqiptarë që ikin në SHBA, sepse ata mbeten po kaq shqiptarë dhe atje, ndërkohë që shanset dhe mundësitë janë të përmasave të jashtëzakonshme, tha Berisha.