Berisha: Të ndërtohet HEC-i i Skavicës

Kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e sotme të qeverisë ka kërkuar ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës. "Ne duhet të ndërtojmë Skavicën. Kaskada është pasuri e madhe, Skavica është nëna e të gjitha digave nën të", pohoi kreu i qeverisë. Sipas tij, Skavica në kaskadën e Drinit duhet të kishte qenë HEC-i i parë që duhej ndërtuar. Kreu i qeverisë theksoi se pozicioni natyror e bën atë një nga vendet më të përshatshme në Europë për ndërtimin e një HEC-i. "Skavica është një nga ngushticat më të ngushta në vendin ku presupozohet se do ndërtohet diga, por edhe me shpatullat shkëmbore më të forta.
Do prodhohet më shumë se 1 miliardë kilovat orë energji", theksoi kryeministri.
Berisha tha se ministria e Ekonomisë dhe KESH duhet të shqyrtojnë me hollësi ndërtimin e HEC-it. "Duhet të hapë tenderin për projektin, nga studimet fillestare deri te projekti i zbatimit", shtoi ai. Sipas tij, qeveria mund ta ndërtojë vetë HEC-in.
Kryeministri pohoi se ndërtimi duhet të fillojë brenda këtij mandati dhe të marrë fund në mandatin e tjetër të qeverisë.