Berisha Te pergatitet ushtria

Berisha u shpreh se duhet të bëjnë detyrën e tyre të përditshme dhe kërkoi që puçit t’i shtypet koka.
“Kam të dhëna se puçistët kanë vetëm një vullnet të vazhdojnë puçin. Kjo është mbi bazën e të dhënave shumë të qarta. Ju garantoj se duke qenë ju në detyrat që keni, ekzistojnë potenciale të tjera që puçit t’i shtypet koka”, është shprehur Berisha.
Duke falenderuar agjencitë e huaja për informacionet që, sipas tij, kanë ofruar, Berisha u shpreh se ka të zbardhur të gjithë komunikimin e atyre që drejtuan puçin, sipas tij, duke lexuar disa pjesë të informacioneve, por pa bërë të ditur publikisht emrat e tyre.
“Unë do ju lexoj vetëm një segment të urdhërit që jepej nga ndërtesa përballë meje: ‘Sulm, ecni, futuni brenda, mos kini frikë! Mos u trembni nga krismat se janë fishekë manovër, ecni përpara, mos u tërhiqni!’ Ndërsa tjetri pyeste: ‘T’u çojmë kallashët se porta u hap?’ Ky është vetëm një segment i atij organizimi”, tha Berisha.
Në lidhje me arrestimin e krerëve të Gardës, kryeministri u shpreh se do të pranojë hetim në gjendje të lirë, për çdo anëtar të Gardës së Republikës.
“Secili nga komandantët e Gardës do të jetë disponibël 24 orë, por në kushtet e vazhdimit të puçit, nuk mund të pranojmë që kjo të bëhet në shërbim të tij. Ndjekja e tyre e lirë, pa asnjë kufizim. Vendosja e të gjitha masave mbi bazën e një hetimi të ndershëm dhe serioz ndaj tyre, pa asnjë diskutim”, tha Berisha.
Ministri i Mbrojtjes, Imami u shpreh se ka siguruar edhe anëtarët e vendeve anëtare të NATO-s, se ushtria nuk do dalë nga kazerma, por nëse dikush i sulmon, nuk do dalë i gjallë prej andej.
“Kam bërë të qartë edhe kolegëve të vendeve anëtare se ushtria nuk del jashtë kazerme, por do i mbrojë ato. Ushtria nuk del nga Ministria e Mbrojtjes, por asnjë i gjalle nuk hyn atje”, tha Imami.
Kreu i qeverisë saktësoi se, gjatë ditës së protestës kishte sugjerime për të ndërhyrë me forca ushtarake, por u shpreh se e refuzoi këtë sugjerim.