Berisha: Të shtunën në orën 12:00, opozitarët marshim në Shkodër

TIRANË, 31 tetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot se protesta e radhës e opozitës do të mbahet të shtunën në ora 12:00 dhe do të zhvillohet në Shkodër, në solidaritet me viktimat e ngjarjes së rëndë që ndodhi një ditë më parë.
“Thirra sot këtë konferencë të jashtëzakonshme për shkak të masakrës që ndodhi dje në Shkodër, në të cilën në këtë qytet të bekuar, qytet paqeje, pune, atdhetarie, jete e gëzimi.
Tre qytetarë u ekzekutuan dhe një i katërt lufton me vdekjen në shtratin e reanimacionit në spital”, u shpreh Berisha para gazetarëve.
“Në shenjë solidariteti me qytetarët e Shkodrës, ftoj të gjithë opozitarët kudo që janë, të shtunën në ora 12:00 në Shkodër, solidaritet me qytetarët e këtij vendi, me këtë qytetet të bekuar, si dëshmi që nuk do të pranojmë kurrë që krimi të mposhtë Shkodrën dhe shkodranët.
Kjo mosbindje civile do të duhej të thirrej në Tiranë, por dëshiroj t’u shprehim nga afër të gjithë solidaritetin tonë, qytetarëve të Shkodrës për të cilët Edi Rama ka zgjedhur hanxharët e krimit me qëllim e vetëm që të mbledhin vota, sepse i doli fytyra se kush është në Durrës”, shtoi Berisha.
“Ndaj dhe ftoj të gjithë opozitaret dhe opozitarët, në ora 12:00 në Shkodër, solidaritet, mbështetje qytetare për banorët e mrekullueshëm, për qytetarët fisnikë të këtij qyteti”, nënvizoi Berisha.
I pyetur për dialog me Kryeministrin Rama, Berisha u shpreh se; “Sot Shqipëria është i vetmi vend në Europë me tre liderët e partive opozitare të burgosur, ose në procese penale, pa asnjë fakt, provë, dokument. Pra se çfarë dialogu kërkon Edi Rama, besoj se e demonstron qartë me burgosjen e drejtuesve kryesore të opozitës.”
/r.e/