E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Tuneli”, përgjegjësi e Ramës, do nisim protesta të fuqishme kundër qeverisë

Kryetari i PD, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama si përgjegjësin kryesor për procedurën dhe koston e ndërtimit të tunelit të Llogarasë. Gjatë një konference me gazetarët, Berisha deklaroi se, pavarësisht faktit se SPAK ka marrë të pandehur zv/kryeministren Belinda Balluku për këtë çështje, ligjin sipas tij e ka shkelur shefi i qeverisë, Rama.

“Kumbullat dhe dardhat i ha Edi Rama, të tjerëve u hedh bishtat nga mbrapa. Tuneli i Llogarasë është kryekëput një nga aktet madhore korruptive direkt të Edi Ramës. Luli Balluku është thjesht masha e tij për realizimin e kësaj afere, që u ka kushtuar qytetarëve shqiptarë jo 50, por 90 milionë euro më shumë se sa ç’ishte parashikuar.”

Berisha tregoi para medias dokumente që lidhen me ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe mbajnë firmën e kryeministrit Edi Rama. Ndërkohë që, sipas kreut të PD, ky tunel është ndërtuar pa leje, pasi leja e ndërtimit është firmosur vetëm më 28 maj të këtij viti.

“Shikoni një kryeministër që shkon në Theth dhe i prish shtëpinë e ndërtuar në tokën e tij tjetrit, pse e ke ndërtuar pa leje, ndërkohë ndërton objektin 220 milionë euro pa leje dhe firmos lejen e ndërtimit më 28.5.2025.”

Kryetari i PD, Sali Berisha, deklaroi se në këtë situatë PD do të nisë protestat kundër Edi Ramës, jo kundër zv/kryeministres Belinda Balluku.

“U bënë protestat kundër Erion Veliajt, kjo çonte njerëzit nga zyrat e veta për të na i përlyer protestat. Në qoftë se shkonim ne në protestë aty, Elisa nxjerr gjysmën e Ministrisë së Jashtme. Jo, nuk na duhet ne kjo. Ne do e kapim djallin për brirësh dhe ai është i pari, Edi Rama. Ju garantoj se protesta shumë të fuqishme do të organizohen, por protestat do të organizohen për hajdutin kryesor, numër një të kombit të të gjitha kohërave. Pra, fillon historia e dimrit me Edi Ramën. Do të ketë një dimër të fortë dhe ne do t’ia bëjmë edhe më të fortë.”

Berisha shpjegoi edhe shumën prej 1.6 milionë dollarësh që PD i pagoi strategut të fushatës elektorale, Chris LaCivita, duke vënë në dukje se ajo është shumë më e vogël se sa pretendoi PS.

“Ekipi i LaCivita, pa diskutim ekipi më serioz i botës, me eksperiencën më të jashtëzakonshme. Por edhe bëri më të mirën e mundshme. Dhanë një ndihmë jashtëzakonisht të çmuar.”

/vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›