Berisha: Vendi është totalisht në duart e krimit! Ylli Zalla u dorëzua vetë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë dhe policinë se e kanë lënë vendin tërësisht në duart e krimit, duke renditur disa nga ngjarjet më të fundit kriminale në Sarandë, Elbasan e Krujë si dëshmi të dështimit të shtetit.
Fjalimi i Sali Berishës:
Këto ditë u provuan shqiptarëve se vendi është totalisht në duart e krimit.
Në Sarandë, ai që duhet të luftojë krimin, shkon në diskotekë dhe në akte të palejueshme shqetëson qytetarët në lokal, detyron badigardët ta nxjerrin si një rrugaç jashtë lokalit dhe pastaj vërsulet policia kundër tyre.
Në Elbasan, siç e patë ju, ditën për drekë, para kamerave, para gjithë qytetarëve, vrasësi i vendos pas kokën tytën e revoles viktimës, pa asnjë lloj hezitimi apo shqetësimi.
Pas arrestimit, fillon përbaltja edhe e kriminelit, edhe e viktimës, në përputhje me doktrinën ‘kokën t’i hanë njëri-tjetrit’.
Një i shumëkërkuar, Ylli Zalla, i vendosin tritol në banesë dhe bën konferencë shtypi para shtëpisë së rrënuar nga tritoli. Akuzon policinë si autore e mundshme e tritolit.
Lamallari mashtron qytetarët, thotë se e arrestuan, ndërkohë Zalla u dorëzua vetë. Se si mund të ketë dorëzim tjetër se sa të dalë në konferencë shtypi, vetëm mendja bosh e Lamallarit mund ta cilësojë arrestim. Ai u dorëzua.