Berisha: Votat u blenë me punësime, PD është gati të çojë në kushtetuese edhe votën e diasporës

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, publikoi sot një listë me emra duke pretenduar se qytetarë të qarkut të Fierit janë punësuar në pozicione të ndryshme në administratën shtetërore si shpërblim për ndihmën e tyre për Partinë Socialiste në fushatën për zgjedhjet e 11 majit.
Lista ka gjeneralitetet e qytetarëve, arsimin e tyre dhe vendin ku dëshirojnë të punësohen, që varion nga sanitare deri te kompania Albpetrol. Sipas Berishës, sigurimi i një vendi pune është përdorur nga PS si formë shpërblimi për ata që kanë ndihmuar Partinë Socialiste në qarkun e Fierit.
“Këtu janë të dhënat ku punojnë terroristët elektoralë që i përdori Lubi Balluku për zgjedhjet. Vazhdo, urdhëroni. Pozicioni ku punojnë: shef shërbimi, laborante, infermiere, arkëtar provizor, specialist i lartë… Drejtor kabineti, kryespecialist, përgjegjës sektori, përgjegjës operativ. Shikoni se si edhe sanitarë mund të gjeni këtu, se si Lubi Balluku në mënyrë kriminale e shndërroi të gjithë administratën shtetërore në Fier në polici politike.”
Lista e bërë publike sot, u denoncua gjatë fushatës elektorale nga Gazment Bardhi, drejtuesi politik i PD për qarkun e Fierit. Bardhi e çoi këtë listë në SPAK, por Prokuroria e Posaçme e pushoi dosjen, një vendim ky që u bë shkak që lideri i opozitës ta akuzojë se është vendosur në shërbim të kryeministrit Edi Rama:
“Altin Troplini, pas Edi Ramës, është armik kryesor i votës së lirë të shqiptarëve. Dhe këtë ai e ka faktuar në mënyrën më kriminale. Ai ka marrë gjatë kësaj periudhe me dhjetëra e dhjetëra padi, por ai mbyll dhe nuk hap asgjë. Është një mercenar i narkoshtetit.”
Nga ana tjetër, Berisha ka lajmëruar se po shihet mundësia që opozita të çojë votën e diasporës në Gjykatën Kushtetuese, pavarësisht se ai vetë nuk beson tek pavarësia e saj:
“Ne, për hir të hierarkisë gjyqësore dhe Gjykatës Ndërkombëtare, të cilës do i drejtohemi për aspektet kushtetuese, sepse jemi të angazhuar në mbrojtjen e votës, do kalojmë çdo fazë.”
Përveç Gjykatës Kushtetuese, PD ka ezauruar çdo mjet ligjor për të shpallur zgjedhjet parlamentare të pavlefshme. Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar 12 kërkesat e saj për përsëritjen e zgjedhjeve dhe rezultati përfundimtar i 11 majit pritet të shpallet brenda pak ditësh.
/vizionplus.tv