E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha bën fushatë në Pukë: Në 11 maj përmbysim regjimin e korruptuar të Edi Ramës

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, shpjegoi në Pukë programin e PD-së për Shqipërinë në katër vitet e ardhshme. Berisha premtoi vendosjen e një minimumi jetik prej 200 eurosh për çdo pensionist dhe të papunë, vendosjen e pagës minimale prej 500 eurosh dhe pagës mesatare prej 1200 eurosh.

Sipas tij, buxheti i Shqipërisë ka të gjitha mundësitë për të rritur pagat dhe pensionet nëse luftohet korrupsioni.

“Beteja e 11 majit është beteja më epike, më legjendare që njerëzit e lirë kanë bërë kundër hajdutëve. Këto para janë, por problemi është se i vjedhin. Sepse nuk do të zhduken më 130 milionë euro me djegësin e Tiranës. Dhe paratë nuk i kanë marrë as drejtorët, as supervizorët. Paratë i ka marrë vetëm ai që firmosi për to, dhe me ligj është i detyruar të kontrollojë çdo sasi  dhe ky është Edi Rama,” tha Berisha.

Kryetari i PD-së premtoi ndryshimin e situatës në sektorin e shëndetësisë, duke deklaruar se qeveria e ardhshme do të rimbursojë të njëjtën listë ilaçesh si në Itali.

“Ua jap fjalën juve se javën e parë do të mbyllen Doshi dhe Nushi, dhe në Shqipëri nuk do të mund të futen kurrë ilaçe të tjera përveç atyre që tregtohen në së paku dy vende të BE-së,” u shpreh ai.

Në lidhje me premtimin kryesor të rivalit politik, Edi Rama, për anëtarësimin e Shqipërisë në BE në vitin 2030, Berisha deklaroi se kjo nuk mund të ndodhë me PS-në në pushtet.

“Pasaporta evropiane e Ramës është si djegësi i Tiranës. Është si premtimi për shëndetësi falas,” deklaroi Berisha.

Nga Puka, Berisha u bëri apel qytetarëve të mos votojnë partitë e reja dhe partinë e drejtuar nga Tom Doshi.

“Ata janë patericat e Edi Ramës. A e patë çfarë ndodhi në Lezhë? Dy kandidatë për deputetë të Doshit u tërhoqën – i tërhoqi Rama. I tërhoqi Ulsiu. E thirri Doshin në SPAK, u tha tërhiqni ose do të vazhdojmë. Doshi u dha urdhër atyre për t’u tërhequr,” përfundoi kryedemokrati.

Sipas Berishës, vota për partitë e tjera në opozitë favorizon PS-në dhe Edi Ramën.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›