E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha i fal Albpetrolin e mbetur një kompanie fantazëm

alb

PhoenicsTema

Kompania e vetme shteterore e naftës në Shqipëri, Albpetrol, ka dorëzuar sot me vendim qeveria vendburimet e fundit të naftës dhe gazit që ka pasur në përdorim, duke u privatizuar de facto pa tender dhe pa para. Në mbledhjen e sotme të qeverisë, kryeministri Berisha ka firmosur një vendim për miratimin e marrëveshjeve hidrokarbure mes Albpetrol Sha dhe PHOENIX Petroleum, sh.a.-së, për zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimin e naftës Amonicë, Drashovicë, PekishtMurriz, Panaja, Frakull, Povelçë, Divjakë, Ballaj-Kryevidh,  dhe Finiq-Krane.

Me këtë vendim praktikisht Albpetroli, për të cilin Berisha tha se vlente 1 milard dollarë një vitë më parë, nuk ekziston më dhe është transferuar  në pronë faktike të kësaj kompanie.

Tani gjithë vendburimet e naftës dhe gazit në Shqipëri zotërohen nga katër kompani, asnjë prej të cilave nuk ka përvojë apo begraund në nxjerrjen dhe shfrytëzimin e naftës.

Sipas një njoftimi që ka bërë vet Phoenix Petroleum Gas, thuhet se ata dhe kompania shtetërore Albpetrol sh.a. kanë negociuar dhe lidhur një marrëveshje mbi termat dhe kushtet e zhvillimit dhe prodhimit të hidrokarbureve dhe gazit në 5 fusha rezervash në jug të Shqipërisë. Marrëveshja përbëhet nga dy faza. Faza e parë (Faza e Vlerësimit për 18 muaj plus 6 muaj), do të sigurojë një bazë të dhënash gjithëpërfshirëse dhe drejtojë eksperimentimin e teknologjive të avancuara në parcela të veçanta. Faza e dytë (Faza zhvillimi i plotë i fushave me rezerva me kohëzgjatje deri në 25 vjet) do të zhvillojë fushat me rezerva bazuar në një plan zhvillimi të detajuar. Fushat e naftës sipas kësaj marrëveshjeje i përkasin karbonat (2) dhe rezerva gur ranor (3). Nga te gjitha këto fusha nafte rezervat gjeologjike (OOIP) janë vlerësuar ( ish Instituti Shqiptar i Hidrokarbureve) në një total prej 6.3 milion ton naftë, nga të cilat është shfrytëzuar rreth 12.5% e tyre. Për të shfrytëzuar këto depozita në total janë shpuar 150 puse vlerësimi dhe prodhimi. Për momentin, këto fusha nafte janë stadin e avancuar të shfrytëzimit. 5 fushat me gaz natyror kanë në total prej 447 milion Nm3 të mbetur në rezervat e verifikuara dhe rreth 3 miliardë Nm3 gazi prej kategorive të mundshme në zonat produktive. Shumë puse eksplorimi, vlerësimi dhe zhvillimi janë shpuar në fushat me gaz natyror. Numri i tyre shkon deri në 300 puse, ndër të cilat më shumë se 220 janë puse gaz prodhuese. Mungesa e investimeve, se bashku me teknologjinë e vjetëruar, kërkimin e limituar dhe mungesa e shërbimeve të domosdoshme për puset e shfrytëzimit, kanë bërë që sot të mos kemi një imazh të qartë të perspektivës zhvilluese të rezervave kryesore të naftës dhe gazit në këto fusha. Duke përdorur eksperiencën e gjatë në zhvillimin e fushave të naftës dhe gazit në Shqipëri, një grup specialistësh lokalë u angazhuan për të vlerësuar mundësitë dhe futjen e teknologjisë së duhur gjatë fazës parapërgatitore të marrëveshjes me qëllim rritjen e prodhimit.

Vendimi për faljen e Albpetrol është publikuar edhe në faqen e Kryeministrisë:

“MIRATIMIN E MARRËVESHJEVE HIDROKARBURE, NDËRMJET ALBPETROL, SH.A.-SË DHE PHOENIX PETROLEUM, SH.A.-SË, PËR ZHVILLIMIN DHE PRODHIMIN E HIDROKARBUREVE NË VENDBURIMET E NAFTËS AMONICË, DRASHOVICË E PEKISHTMURRIZ, SI DHE VENDBURIMET E GAZIT PANAJA, FRAKULL, POVELÇË, DIVJAKË, BALLAJ-KRYEVIDH DHE FINIQ-KRANE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 13, të ligjit nr.7746, datë 28.7.1993, Për hidrokarburet (kërkimi dhe prodhimi), të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.     Miratimin e marrëveshjeve hidrokarbure, ndërmjet Albpetrol, sh.a.-së dhe PHOENIX Petroleum, sh.a.-së, sipas tekstit, që i bashkëlidhet këtij vendimi, përkatësisht për:

a)    zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimin e naftës Amonicë,
b)    zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimin e naftës Drashovicë,
c)    zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimin e naftës PekishtMurriz,
ç) zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimin e gazit natyror Panaja,
d)    zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimin e gazit natyror Frakull,
dh) zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimin e gazit natyror Povelçë,
e) zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimin e gazit natyror Divjakë,
ë) zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimin e gazit natyror Ballaj-Kryevidh,
f)  zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimin e gazit natyror Finiq-Krane.

2.     Ngarkohet Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren zyrtare.


K R Y E M I N I S T R I

SALI  BERISHA”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›