Berisha inauguron shkollën në Shkodër: Politika ime, arsimimi i fëmijëve
Kryeministri i vendit, Sali Berisha ishte ditën e sotme në fshatin Barbullush të Shkodrës, ku inauguroi rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare të këtij fshati.
Në fjalën e tij Kryeministri iu kundërpërgjigj akuzave të opozitës se, është duke bërë politikë nëpër shkolla, dhe theksoi se qëllimi kryesor i politikës së tij është shkollimi i fëmijëve.
“Unë ndjehem shumë i lumtur që vij tek ju dhe bisedoj me ju. Ata të cilët më qortojnë se po bëjnë politikë, dua t’u bëj të ditur sot nga Bushati, se politika ime më kryesore është shkollimi i fëmijëve të Shqipërisë. Të dashur nxënës dhe mësues, nuk ka politikë më të mirë dhe më të rëndësishme për mua se sa mbështetja juaj e plotë”, tha Berisha.
Kryeministri, duke folur para nxënësve dhe mësuesve për arritjet e Qeverisë në fushën e arsimit nuk la pa përmendur marrjen e statusit vendit kandidat për në BE, një ditë më parë, duke u shprehur se për këtë arritje, merita është e qytetarëve të Shqipërisë dhe e administratës.
“Suksese historike kemi arritur. Së pari qytetarët lëvizin të lirë në mbarë Europën, së dyti rekomandimi i djeshëm i Komisionit Europian për statusin e vendit kandidat, procesi i integrimit të Shqipërisë do të jetë një proces i pandalshëm, kjo është rruga për të bërë realitet ëndrrën e shqiptarëve të të gjithë brezave”, – u shpreh Berisha.
11 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)
Berisha inauguron shkollën në Shkodër: Politika ime, arsimimi i fëmijëve burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip