Berisha kundërshton përjashtimin 10-ditor nga Kuvendi: Nuk jemi organizatorët e protestës, por e mbështesim

TIRANË, 30 tetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e cilësoi në kundërshtim me parimet kushtetuese vendimin për përjashtimin e tij për 10 ditë nga punimet e Kuvendit, ndërsa deklaroi se PD-ja mbështet protestën studentore, por nuk është organizatore e saj.
Në një intervistë për emisionin “ÇdoKënd”, në A2 CNN, Berisha kundërshtoi masën disiplinore të marrë ndaj tij për gjuhën e përdorur në seancën e fundit parlamentare, të cilën mazhoranca e cilësoi si nxitëse të dhunës.
“Ky është një përjashtim në kundërshtim me parimet themelore të Kushtetutës së Shqipërisë, për deklaratën time, për të cilën deputeti është i lirë të shprehet në Kuvend”, deklaroi Berisha.
Ai e lidhi vendimin me qëndrimin e kryeministrit Edi Rama ndaj kundërshtimit politik dhe mediatik, duke përdorur tone të ashpra ndaj tij.
Berisha iu referua edhe deklaratave të tij në Kuvend për deputetët që mbështesin mazhorancën, duke pretenduar se ata mbajnë përgjegjësi për dhunën e ushtruar ndaj studentëve gjatë protestave.
Duke mbrojtur gjuhën e përdorur në seancë, kreu i PD-së deklaroi se akuzat e tij ndaj përfaqësuesve të mazhorancës janë bërë me vetëdije të plotë dhe se është i gatshëm t’i argumentojë ato.
“I kam thënë me vetëdijen më të plotë dhe mund ta faktoj para shqiptarëve se çfarë kriminelësh janë këta”, u shpreh Berisha, duke përsëritur akuzat e tij ndaj përfaqësuesve të mazhorancës.
Berisha gjithashtu sqaroi qëndrimin e Partisë Demokratike ndaj protestës studentore, duke theksuar se forca politike që drejton e mbështet atë që prej fillimit, por nuk ka qenë organizatore.
Ai tha se protesta u thirr nga Sindikata e Universiteteve më 13 tetor, përpara Ministrisë së Arsimit, ndërsa strukturat e Forumit Rinor të PD-së iu përgjigjën thirrjes për pjesëmarrje.
“Partia Demokratike është në protestë që në datën 1 qershor, por dua të sqaroj një gjë. Sa i përket protestës së studentëve, po përpiqen shumë për autorësi, por e vërteta është se protesta u thirr nga Sindikata e Universiteteve, më 13 tetor, te Ministria e Arsimit”, deklaroi Berisha.
Sipas tij, në protestë morën pjesë anëtarë të strukturave të PD-së, por edhe grupe të tjera qytetarësh që nuk kishin lidhje me Forumin Rinor të partisë.
Berisha tha se Partia Demokratike ka vendosur të respektojë karakterin qytetar të protestës dhe të mbështesë kërkesat e studentëve.
“Ne jemi në mbështetje të revoltës studentore dhe në mbrojtje të tyre”, u shpreh ai.
Kreu demokrat përsëriti se PD-ja nuk pretendon autorësinë e protestës, por ka marrë pjesë dhe e ka mbështetur atë që nga fillimi.
“Strukturat tona në universitete dhe gjimnaze iu përgjigjën thirrjes për protestë, por nuk jemi organizatorë”, theksoi Berisha, duke shtuar se edhe partitë aleate janë në mbështetje të saj.
/gj.m/r.e/a.f/