Berisha me bizneset e vogla tek ish-Uzina Dinamo: Energjinë do ta paguani 6 lekë

TIRANË, 5 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot takime me tregtarët e bizneseve të vogla tek “ish-Uzina ‘Dinamo”, në Tiranë.
Gjatë bisedës me tregtarët e bizneseve të vogla, kryetari i PD-së u ka shpjeguar atyre programin e “PD-Shqipëria Madhështore” për biznesin e vogël dhe lehtësitë që do të krijojë qeverisja e kësaj partie pas fitores në 11 maj. Sipas Berishës, energjinë kvto biznese do ta paguajnë me 6 lekë.
“Çfarë kemi ne për biznesin e vogël. Do ta blini energjinë me 6 lekë. Tarifat e ujit do të përgjysmohen. Taksat e shumta që vendos bashkia mbi ju, tarifat nuk do të jenë kurrë më shumë se 1% e xhiros. Sot i keni 8 apo dhe 10% të xhiros. Gjobat do të falen. Gjobat e vendosura me arbitraritet nga këta plaçkitës do të falen”, u shpreh Berisha.
“Ne e konsiderojmë të një rëndësie shumë të madhe, suksesin e biznesit të vogël. Suksesi juaj është mëkëmbje për ju, është punësim për shoqërinë dhe shtetin shqiptar’, tha Berisha. /j.p/