Berisha mëson “LIVE” arrestimin e Metës: Persekutim politik

Lideri i opozitës Sali Berisha ishte në konferencë me gazetarët në momentin kur u publikua lajmi i arrestimit të aleatit të tij, Ilir Meta. Në reagimin e parë ndaj arrestimit të aleatit të tij më të rëndësishëm, Berisha deklaroi se arrestimi i Ilir Metës është politik me urdhër të kryeministrit Edi Rama.
“Persekutimi politik i Ilir Metës është politik, politik dhe vetëm politik”, tha Berisha.
Berisha akuzoi shefin e qeverisë Rama, edhe për eliminim fizik të rivalëve politikë.
“Nuk kanë publikuar asnjë fakt, asnjë dokument, por kanë zbatuar urdhrat e Edi Ramës, i cili është përpjekur me të gjitha mënyrat për eliminimin politik, e ndoshta edhe fizik të Ilir Metës. Iu kam informuar unë këtu ju, se Dumani fle mbi një dosje në të cilën bisedohet për eliminimin e një politikani të afërt me Edi Ramën. E kuptoni se a do mund të guxonin bandat shtetërore të eliminonin një politikan të afërt me Edi Ramën, pa porosinë e Edi Ramës?Pra, Edi Rama është një me krimin”, tha ai.
Akuzën për lidhje të kryeministrit Edi Rama me bandat kriminale, lideri i opozitës Berisha e përdori edhe kur komentoi arrestimin e ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja.
“Jurgis Çyrbja, i njohur botërisht si përfaqësuesi i klanit mafioz Avdylaj, ka shpërblyer Edi Ramën së bashku me Avdylajn me tonelata dardha të krimbura. Ka dërguar dy herë mandatin e tij në parlament. Rasti Çyrbja është rasti që fakton në mënyrën më të pakundërshtueshme faktin se në Shqipëri vendimmarrës numër 1 është krimi dhe vetëm krimi”, u shpreh Berisha.
Ne emër të opozitës Sali Berisha ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama
“Edi Rama duhet të japë dorëheqjen menjëherë sepse është shtylla kryesore e krimit në Shqipëri”, tha kreu i PD. /vizionplus.tv