E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha nderohet me çmimin “Eisenhower Medallion 2009”

Organizata People to People International, nderoi mbrëmë, gjatë një darke prestigjioze në Las Vegas të shtetit Nevada, kryeministrin e Shqipërisë Sali Berisha me çmimin ndërkombëtar “Eisenhower Medallion”.
Znj . Mary Eisenhower, Presidente e kësaj organizate dhe gjithashtu mbesa e Dwight D. Eisenhower ish-Presidenti i SHBA-së dhe themelues i Organizatës People to People, përshëndeti aktivitetin duke u shprehur se ky çmim i jepet Profesor Doktor Sali Berishës për kontributin që ka dhënë në krijimin e një klime paqësore mes Shqipërisë, vendeve të rajonit dhe komunitetit global.

Përmes një videoje, kryeministri Berisha falënderoi organizatën për çmimin prestigjioz, duke e vlerësuar atë si një nder jo vetëm për të por edhe për shqiptarët në të gjithë botën. Ai tha se ishte nder i veçantë që ishte zgjedhur si shqiptari i dytë, pas Nënë Terezës të cilit i jepet ky çmim. Kryeministri Berisha nuk mori pjesë në ceremoninë e mbrëmshme për shkak të angazhimeve në formimin e qeverisë së re në Tiranë. Në emër të tij, çmimin e pranoi bashkëshortja e kryeministrit, zonja Liri Berisha e shoqëruar nga zëvendës ministrja e jashtme zonja Edit Harxhi.

Duke pranuar çmimin zonja Liri Berisha falenderoi Organizatën People to People International dhe Presidenten e saj zonjës Mary Eisenhower për çmimin dhënë bashkëshortit të saj, duke shtuar se Kryeministri Berisha do ta vazhdojë me përkushtim punën e tij për përmirësimin e jetës së popullit shqiptar.
Çmimi prestigjioz Eisenhower Medallion është krijuar për nder të ish-presidentit të 34-t të Shteteve të Bashkuara, Dwight D. Eisenhower. Ky çmim u jepet çdo vit personaliteteve të shquara, me famë botërore, të cilët kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në procesin e paqes në botë.

Disa prej personaliteteve që kanë fituar këtë çmim ndër vite janë: Nënë Tereza; Shkëlqesia e Tij Papa Gjon Pali i Dytë, Ish-presidentët e SHBA-ve Xhorxh Herbert Walker Bush, Jimmy Carter, Ronald Reagan etj.
Qëllimi i People to People International është të promovojë mirëkuptim dhe miqësi nëpërmjet aktiviteteve edukative, kulturore dhe humanitare duke përfshirë shkëmbimin e drejtpërdrejtë të ideve dhe eksperiencave të njerëzve nga vende dhe kultura të ndryshme.

People to People International ka në fokusin e vet rritjen e komunikimit ndërkulturor brenda çdo komuniteti, si dhe ndërmjet komuniteteve dhe kombeve të ndryshme. Toleranca dhe mirëkuptimi i përbashkët janë tema qendore. Edhe pse një organizatë jo-politike, People to People International mbështet vlerat dhe synimet bazë të themeluesit të saj, Presidentit Dwight D. Eisenhower, i cili e krijoi këtë organizatë, më 11 Shtator.

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›