Berisha në Azerbajxhan, sot takime me krerët e shtetit

Kryeministri Berisha i cili ndodhet për një vizitë dy ditore në Azerbajxhan pritet që të takohet sot me Presidentin e Azerbajxhanit Ilham Aliyev, kryetarin e Kuvendit Oktay Asadov dhe Kryeministrin Artur Rasi-zade, me të cilin do të ketë një takim tet a tet.
Gjithashtu pas takimit të dy kryeministrave do të nënshkruhet edhe marrëveshja për mbrojtjen dhe nxitjen reciproke të investimeve mes dy vendeve si dhe një Memorandum Mirëkuptimi midis Ministrive të Ekonomisë të dy vendeve, për bashkëpunimin në fushën e industrisë dhe energjisë.
Kryeministri Berisha, gjithashtu, do të takohet edhe me Zëvendëskryeministrin Nadir Huseynov, Ministrin e Zhvillimit Ekonomik të Republikës së Azerbajxhanit Shahin Mastafayev dhe me komunitetin e biznesit azerbajxhanas.
Në fokus të vizitës të kreut të qeverisë shqiptare në Azerbajxhan do të jetë konsolidimi i marrëdhënieve dypalëshe dhe thellimi i tyre, në mënyrë të veçantë i atyre ekonomike, ku një vend të rëndësishëm do të zënë temat e bashkëpunimit në fushën e energjisë dhe nxitjes së investimeve.
Kryeministri dhe delegacioni që e shoqëron do të vizitojë edhe vende me rëndësi dhe interes kulturor të kryeqytetit të Azerbajxhanit.