Berisha në Berat: Falimentimi i fermerëve, goditje për të gjithë shoqërinë

TIRANË, 15 prill/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ishte sot në Berat ku zhvilloi bashkëbisedim me fermerët e zonës dhe Kuçovës mbi atë që e cilësoi krizë në sektorin e bujqësisë.
Berisha pasi paraqiti problematikat të cilat sipas tij kanë sjellë falimentimin e fermerit shqiptar, u zotua se subvencionet në bujqësi do rriten me 5 herë që vitin e parë të PD-së në qeverisje.
“Me akt të parë do të pesëfishojmë grantet për fermerët”, deklaroi Berisha duke vënë në dukje se në Shqipëri është vendosur taksa më e lartë në botë në litrin e naftës.
“Në qoftë se kërkoni në aplikacionet në internet, Shqipëria është vendi i parë ose vendi me taksën më të lartë për litër nafte. Ne do të barazojmë ngarkesën fiskale mbi litrin e naftës me Kosovën dhe Maqedoninë”, u shpreh ai.
“Përveç kësaj, fermerëve do u jepet nafta pa asnjë taksë. Do u hiqet çdo takes”, vijoi Berisha.
Kreu i PD-së akuzoi qeverinë se ka lënë në harresë tokën dhe fshatin. “Falimentimi i fermerëve është një dramë jo vetëm familjare e tyre, por është një goditje për të gjithë shoqërinë”, u shpreh Berisha.
Kreu i PD-së u tha fermerëve të Beratit dhe Kuçovës se edhe pse bujqësia e blegtoria në vend sjellin 19 % të prodhimit të përgjithshëm kombëtar, marrin nga buxheti vetëm 0.2%.
Ai mori si shembuj vendet e rajonit duke u ndalur tek Kosova që sipas tij, ka katërfishin e subvencionimit për fermerët që ka Shqipëria.
Berisha e cilësoi tallje subvencionimin e faturave më 10% duke deklaruar se kjo sjell toka djerrë dhe largim masiv nga vendi.
“Askush nuk e ka fitimin me më mund sesa fermeri. Askush në fermën, në ndërmarrjen e vet, siç është ferma, nuk është më i kërcënuar nga një kompleks faktorësh sesa ç’është fermeri. Dhe ky tani, dhe ky tani merr një vendim, merr një vendim në një moment kur nafta ka kapur atë çmim saqë punimi i tokës bëhet i paleverdishëm”, tha Berisha.