E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha në PPE: Për të siguruar mandatin e katërt, Rama burgosi liderët e partive kryesore opozitare

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi me grupin e Partive Popullore Europian (PPE) në Strasburg kërkoi mbështetje dhe monitorim ndërkombëtar për zgjedhjet e 11 majit.

Kryedemokrati denoncoi përhapjen e krimit dhe korrupsionit në vend, si edhe lidhjen e krimit me politikën, që sipas tij simbolizohet nga partia në pushtet e kryeministrit Edi Rama. Duke folur mbi arrestimin e liderëve të opozitës, z. Berisha nënvizoi se kryeministri Rama ka zgjedhur këtë strategji dhe manipulimin për të siguruar mandatin e tij të katërt.

“Ai arrestoi kryetarin e Partisë Demokratike. Vendosi në arrest shtëpie për 330 ditë kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, me akuza të rreme pas një hetimi që zgjati katër vjet. Por disa muaj më parë ai arrestoi kreun e partisë së dytë opozitare, Ilir Meta, si person nën hetim. E arrestuan, e keqtrajtuan në rrugë, e tërhoqën zvarrë, e rrahën, pa i treguar asnjë urdhërarrest. I treti, kreu i partisë së tretë opozitare, Fatmir Mediu, ish-ministër i mbrojtjes, ndodhet në një proces penal për një çështje që është gjykuar para 15 vitesh dhe nuk ekziston më asnjë fakt i ri. Regjimi i merr mandatet opozitës. Edi Rama i mori mandatin dhe arrestoi Fredi Belerin. Aktualisht ai është deputet në Parlamentin Evropian. Kështu, Belleri kaloi një vit e gjysmë në burg, nuk u lejua të bënte betimin dhe humbi mandatin si kryetar bashkie.

Drejtësia politike e kontrolluar nga Edi Rama nuk merret me këtë krim.

Kështu që këto zgjedhje janë një proces me një makinerie të madhe blerjesh votash dhe një makineri të madhe frike që kontrollon vullnetin e popullit. Gjatë këtyre javëve, kryeministri vetë do japë 100 euro për çdo pensionist di dhuratë për votën. Kjo është panorama e Shqipërisë, situata ku jemi. Tani, cilat janë opsionet tona? Ne duhet të luftojmë, të luftojmë, të luftojmë. Në një diktaturë, nuk ke asnjë opsion tjetër. Por çfarëdo ndihme që mund të japë ky institucion, ne jemi shumë mirënjohës”, tha Berisha.

Drejtuesi i grupit të PPE-së në Strasburg, Pablo Hispan, i garantoi mbështetjen kreut të opozitës shqiptare, duke shprehur bindjen se PD-ja do i fitojë zgjedhjet. Ai tha se PPE do të sjellë në Shqipëri një delegacion të madh për të mbikëqyrur zgjedhjet.

“Siç e dini, ju keni mbështetjen tonë më të madhe dhe grupi ju uron suksese, me bindjen se do të fitoni në zgjedhjet e ardhshme. Ne do sjellim një delegacion të madh nga Partitë Popullore Europiane, që të mbikëqyrim zgjedhjet, për të mbështetur demokracinë dhe transparencën për popullin shqiptar,” tha Hispan.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›