Berisha në Strasburg: Shqipëria përballë “kërcënimit ekzistencial”, duhet qëndrim ndërkombëtar

TIRANË, 29 shtator /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së tij në Strasburg, në kuadër të punimeve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, u ndal tek emigracioni, situata demografike dhe trafiku i drogës në Shqipëri.
Berisha vlerësoi kontributin e diasporës shqiptare, por shprehu shqetësimin për largimin e një numri të madh qytetarësh nga vendi, duke e cilësuar këtë fenomen si një kërcënim për të ardhmen demografike të Shqipërisë.
“Asnjë komb nuk mund dhe nuk duhet të jetë më krenar për diasporën e tij sesa kombi shqiptar. Diasporës i detyrohemi pothuajse mbijetesën tonë, liritë tona, si dhe një kontribut të jashtëzakonshëm në kulturën tonë. Por sot, për fat të keq, më duhet t’ju paraqes një tablo të tmerrshme, një efekt shkatërrues të emigracionit në vendin tim. Justin Gast, në një studim të kryer në 149 vende, ka arritur në përfundimin se emigracioni mund të shkaktojë një “zbrazje demokratike” dhe të ketë pasoja shumë të rënda”, tha Berisha.
Ai deklaroi se, në Shqipëri, kjo e ka vendosur kombin përballë një kërcënimi real ekzistencial.
“Aktualisht, në hapësirën e Bashkimit Evropian, sipas Eurostat-it, nga çdo 1 mijë shqiptarë, 466 jetojnë në vendet e BE-së. Kjo është tërësisht pasojë e narkoshtetit shqiptar, i cili është narkoshteti i vetëm në botë, por fatkeqësisht ende i panjohur dhe i pavlerësuar si i tillë nga Evropa. Shqipëria është eksportuesja e parë e kanabisit, ndërsa kartelet shqiptare të drogës janë transportuesit më të mëdhenj të kokainës në Evropë. Është jetik një qëndrim ndërkombëtar ndaj këtij narkoshteti, për të shpëtuar kombin”, theksoi Berisha.
/e.xh/r.e/a.f/